Kryeparlamentari Gashi takon Kobakhidzen, fokus bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar

Gashi: Marrëdhëniet me Gjeorgjinë të marrin dimension më dinamik, heqja e vizave hap mundësi të reja
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjatë vizitës së tij zyrtare në Gjeorgji zhvilloi një takim me kryeministrin e vendit, Irakli Kobakhidze, ku u theksua nevoja për t’u dhënë një dimension më dinamik dhe më praktik marrëdhënieve dypalëshe.
Sipas njoftimit të Gashit, në takim u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, rritjen e shkëmbimeve në fushën e turizmit, si dhe krijimin e lidhjeve më të ngushta ndërmjet komuniteteve të biznesit të të dy vendeve.
“Diskutuam për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, rritjen e shkëmbimeve në turizëm dhe krijimin e lidhjeve më të ngushta ndërmjet komuniteteve tona të biznesit, si hap konkret për shfrytëzimin e potencialit që ekziston mes dy vendeve”, thuhet në njoftimin e kryeparlamentarit.
Gashi dhe Kobakhidze vlerësuan gjithashtu vendimin për heqjen e regjimit të vizave, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm për afrimin e qytetarëve dhe zgjerimin e bashkëpunimit.
“E vlerësuam vendimin për heqjen e vizave si një hap të rëndësishëm që ka afruar qytetarët tanë dhe ka hapur rrugë për më shumë kontakte dhe mundësi të reja zhvillimi”, theksohet në njoftim.

