I la fëmijët e mbyllur në veturë, policia e gjobit me 300 euro një nënë në Prizren

Një grua është gjobitur me 300 euro nga Policia e Kosovës pasi i kishte lënë fëmijët e saj të mbyllur në një veturë të parkuar në një qendër tregtare në Prizren.
Sipas policisë, fëmijët u gjetën të rraskapitur dhe të dehidratuar nga temperaturat e larta, ndërsa automjeti u hap me ndihmën e një shufre metalike.
Ndaj nënës është shqiptuar gjobë për kundërvajtjen “Moskujdes ndaj të miturit”.
Komunikata e plotë:
I lë fëmijët mbyllur në veturë, e ëma gjobitet me 300 euro në Prizren
Prizren, 30 qershor 2026
Më datë 27.06.2026, rreth orës 17:50, Policia ka pranuar informacion se në një veturë të parkuar në një qendër tregtare në Prizren ndodheshin disa fëmijë të mbyllur brenda, të rraskapitur nga i nxehti, duke qenë se temperaturat ishin shumë të larta.
Policia ka arritur menjëherë në vendngjarje dhe me ndihmën e shufrës metalike ka hapur automjetin. Fëmijët ishin të lodhur dhe të dehidratuar nga nxehtësia. Në ndërkohë, në vendngjarje është paraqitur edhe e ëma e tyre. Për shkak të moskujdesit ndaj të fëmijëve, policia i ka shqiptuar gjobë prej 300 euro, sipas kundërvajtjes “Moskujdes ndaj të miturit”.
Duke marrë parasysh se tani në stinën e verës temperaturat janë shumë të larta, Policia apelon për kujdes të shtuar, sidomos ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe personave të sëmurë. Në asnjë rast nuk duhet të lihen fëmijët të mbyllur në automjet, pasi pasojat mund të jenë fatale.



