Mickoski: Të martën do të dihen ministrat e rinj dhe resorët në Qeveri

Kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, paralajmëroi se të martën e javës së ardhshme do të mbahet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të partisë, pas së cilës do të bëhen të ditura zgjidhjet kadrovike dhe ndarja e resorëve në kuadër të rindërtimit të paralajmëruar të Qeverisë.
Mickoski theksoi se rindërtimi nuk po bëhet vetëm mbi bazën e rezultateve të deritanishme të ministrave, por edhe për shkak të ndryshimit të prioriteteve të partnerëve të koalicionit qeveritar.
“Nuk janë të rëndësishme vetëm rezultatet, nëse kanë qenë të mira apo jo mjaftueshëm të mira. Ndonjëherë rindërtimi bëhet sepse ndryshojnë prioritetet. Ajo që ka qenë prioritet para dy vitesh, sot mund të ketë një formë tjetër”, deklaroi Mickoski gjatë pjesëmarrjes në studion e hapur të MRT-së.
Ai njoftoi se do të ketë ndryshime të resorëve mes partnerëve të koalicionit, por nuk zbuloi detaje se cilët ministra do të zëvendësohen dhe cilat resorë do të pësojnë ndryshime.
Kryeministri tha se ende nuk është përcaktuar nëse rindërtimi do të përfshijë një të tretën e funksionarëve qeveritarë apo do të jetë më i gjerë.
“Të martën fillimisht duhet të kalojë mbledhja e Komitetit Ekzekutiv, e më pas do të tregojmë se cilat janë resorët dhe cilët janë emrat. Në thelb bëhet fjalë për ndryshim të portofolëve dhe ndryshim të prioriteteve te partnerët e koalicionit qeveritar”, tha Mickoski.
Ai vlerësoi se Qeveria sot ndodhet në një gjendje dukshëm më të mirë se para dy vitesh, kur mori pushtetin.
“Nëse dikush ka filluar nga zero, ne kemi filluar nga një minus i thellë. Sot më në fund jemi konsoliduar dhe të gatshëm të përshpejtojmë përpara”, theksoi kryeministri.
Mickoski shprehu bindjen se përbërja e rindërtuar e Qeverisë, nëse merr mbështetjen në Kuvend, do ta përfundojë me sukses mandatin dhe do të realizojë prioritetet e reja të përcaktuara në programin qeveritar.



