Moti ekstrem, OBSH: Vala e të nxehtit në Europë është emergjencë shëndetësore

Temperaturat ekstreme që kanë përfshirë Europën po kthehen në një kërcënim serioz për shëndetin publik. Teksa vala e të nxehtit po shkakton viktima në disa vende të kontinentit, Organizata Botërore e Shëndetësisë po bën thirrje për veprim të menjëhershëm ndaj krizës klimatike.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, me anë të postimi në rrjetet sociale, shprehet se, “vala e të nxehtit në Europë po mbyll shkollat dhe po vë në rrezik shëndetin e njerëzve. Të dhënat janë të qarta, temperaturat në Europë po rriten me rreth dy herë më shpejt se mesatarja globale, duke rritur gjasat dhe ashpërsinë e valëve ekstreme të të nxehtit në të ardhmen”.

Në këto kushte kreu i Shëndetësisë globale apelon që krerët e shteteve europiane  duhet të prioritizojnë investimet në sisteme shëndetësore të përshtatura ndaj klimës, ndërsa njëkohësisht të përshpejtojnë veprimin për klimën dhe të zbusin faktorët që nxisin krizën klimatike.

Të dhënat tregojnë se Europa është rajoni që po ngrohet më shpejt në botë dhe vetëm në katër vitet e fundit temperaturat e larta kanë shkaktuar mbi 200 mijë vdekje. Ndërkohë, vdekshmëria e lidhur me të nxehtin është rritur me 30% gjatë 20 viteve të fundit.

Për të mbrojtur popullatën, OBSH rekomandon që qytetet të krijojnë më shumë hapësira të freskëta, të sigurojnë akses në ujë dhe hije, si dhe të monitorojnë nga afër të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike. Sipas organizatës, i nxehti ekstrem nuk është më thjesht një fenomen i motit, por një emergjencë shëndetësore që kërkon reagim të menjëhershëm.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button