Shefat e diplomacisë së Iranit dhe Zvicrës takohen para bisedimeve SHBA-Iran

Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Araghchi dhe homologu i tij zviceran, Ignazio Cassis, janë takuar në Burgenstock të Zvicrës, përpara bisedimeve të planifikuara SHBA-Iran që do të zhvillohen më vonë gjatë ditës në të njëjtin vend, transmeton Anadolu.
Agjencia shtetërore iraniane IRNA raporton se Araghchi dhe Cassis u takuan në kuadër të “programit të parë zyrtar të delegacionit iranian në Zvicër”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, tha për IRNA se delegacioni iranian do të zhvillojë disa takime gjatë ditës, përfshirë me delegacionet e Pakistanit dhe Katarit, të cilët veprojnë si ndërmjetës.
“Pasdite do të mbahen takime katërpalëshe ndërmjet delegacioneve të Republikës Islamike të Iranit dhe SHBA-së, në praninë e përfaqësuesve të Katarit dhe Pakistanit”, tha Baqaei.
Më herët, delegacionet amerikane dhe iraniane mbërritën në Zvicër për negociata teknike në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar të mërkurën, me qëllim përfundimin e konfliktit disamujor në Lindjen e Mesme dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Bisedimet në Burgenstock do të udhëhiqen nga zv/presidenti amerikan JD Vance, ndërsa nga pala iraniane nga kryeparlamentari Mohammad Bagher Qalibaf dhe kryediplomati Abbas Araghchi, nën ndërmjetësimin e Pakistanit.



