Aliu: Instituti i Standardizimit mbetet e përkushtuar për sjelljen e standardeve më të mira evropiane në vend

Drejtori i Institutit të Standardizimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut (ISRMV), Gazmend Aliu, ka njoftuar se institucioni që ai drejton ka marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të CEN dhe CENELEC, e mbajtur në Ayia Napa të Qipros, ku u nënshkrua iniciativa strategjike “Cyprus Commitment”.

Aliu theksoi se përfaqësimi i ISRMV-së në këtë ngjarje ishte një moment i rëndësishëm për përfshirjen aktive të vendit në proceset evropiane të standardizimit.

“Krenar që përfaqësova Institutin e Standardizimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë e Përgjithshme të CEN dhe CENELEC në Qipro. Së bashku me përfaqësuesit e trupave kombëtare të standardizimit nga mbarë Evropa, hodhëm një hap të madh përpara duke nënshkruar ‘Cyprus Commitment’, një udhërrëfyes strategjik që do të përcaktojë të ardhmen e sistemit evropian të standardizimit”, deklaroi Aliu.

Sipas tij, iniciativa fokusohet në transformimin digjital të proceseve të standardizimit, ruajtjen e parimeve themelore si konsensusi, ekspertiza teknike dhe gjithëpërfshirja, si dhe në forcimin e bashkëpunimit me industrinë dhe ekosistemet inovative.

“Si ISRMV, ne konfirmojmë pozicionin tonë aktiv në proceset evropiane dhe mbetemi plotësisht të përkushtuar për të sjellë standardet dhe praktikat më të mira evropiane në vendin tonë, duke krijuar vlerë afatgjatë për ekonominë dhe shoqërinë tonë”, tha Aliu.

Nga Instituti theksojnë se “Cyprus Commitment” paraqet një iniciativë strategjike që synon të orientojë zhvillimin e sistemit evropian të standardizimit në kushtet e ndryshimeve të shpejta teknologjike, ekonomike dhe rregullatore, duke promovuar efikasitet, fleksibilitet dhe bashkëpunim më të ngushtë me industrinë dhe komunitetin kërkimor.

Delegacioni i Maqedonisë së Veriut në këtë ngjarje u udhëhoq nga drejtori Gazmend Aliu, ndërsa pjesë e tij ishin edhe Ruzhica Jovanoviq-Malinovska dhe Sandra Temkovska Elenov.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button