Kasami: Nga 23 qershori nis aplikimi për vauçerë për nxënësit e klasës së parë

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka njoftuar se nga 23 qershori deri më 10 korrik 2026 do të jetë i hapur afati për aplikim për përfitimin e vauçerëve për nxënësit e regjistruar në klasën e parë.
Sipas njoftimit, formulari i aplikimit mund të merret në Sektorin për Veprimtari Publike pranë Komunës së Tetovës ose të shkarkohet nga faqja zyrtare e komunës. Dokumentacioni i nevojshëm duhet të dorëzohet në të njëjtin sektor brenda afatit të paraparë.
Kasami theksoi se të drejtë aplikimi kanë të gjithë nxënësit që janë regjistruar në klasën e parë deri më 22 qershor 2026.
“Komuna e Tetovës i njofton prindërit se nga data 23 qershor deri më 10 korrik 2026 do të jetë i hapur aplikimi për përfitimin e vauçerëve për nxënësit e regjistruar në klasën e parë”, thuhet në njoftim.
Nga komuna u bëhet thirrje të gjithë prindërve që të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar për të përfituar nga kjo masë mbështetëse për filloristët.



