Qamili: Edhe një punë gjysmake e BDI-së, pjesë e tangos BDI-Gjykata Kushtetuese!

Nënkryetari i komunës së Tetovës, Albi Qamili ka reaguar pas lajmit se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin për emrat të rrugëve në Tetovë. Sipas Qamilit, tandemi BDI-Gjykata Kushtetuese vazhdojnë tentativat për ta goditur VLEN-it, duke i goditur shqiptarët. Ai thotë se po shfuqizojnë një vendim që nuk është implementuar asnjëherë.
“Edhe një punë gjysmake e BDI-së, pjesë e tangos BDI-Gjykata Kushtetuese!
Tandemi BDI – Gjykata Kushtetuese vazhdojnë tentativat për ta goditur VLEN-in duke i goditur shqiptarët. Po shfuqizojnë një vendim që nuk është implementuar asnjëherë.
Nuk ka dyshim se kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese ndien një detyrim ndaj shumicës së mëparshme qeverisëse që i zgjodhi ata dhe sjell vendime për të ndihmuar politikisht BDI-në. Mjafton të shohim se kush i gëzohet vendimit skandaloz të kësaj përbërjeje të Gjykatës Kushtetuese. BDI-ja, e cila bëri zgjidhje gjysmake për riemërtimin e rrugëve dhe sot tinëzisht nxit vendime të tilla nga gjykata që e votuan vetë.
Këtë vendim skandaloz e bazojnë te procedura që BDI-ja nuk e respektoi dhe si rrjedhojë ato emra asnjëherë nuk u bënë të plotfuqishme.
Ne i kemi parapri kësaj, prandaj ka një Komision për Riemërtimin e Rrugëve në Tetovë i cili po punon intensivisht dhe së shpejti do të miratojë zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme e cila reflekton realitetin shoqëror të Tetovës”, ka shkruar Qamili.



