Tetë ditë paraburgim për personin që dogji automjetet e Ambasadës së Bullgarisë

Personi i dyshuar për djegien e automjeteve të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup është dërguar në paraburgim për tetë ditë. Gjykata Themelore Penale e pranoi masën e propozuar nga prokurori kompetent për 44-vjeçarin nga Shkupi.
Më herët, Prokuroria njoftoi se kishte hapur procedurë hetimore ndaj të dyshuarit, i cili akuzohet për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, sipas nenit 288 të Kodit Penal.
Policia e Shkupit njoftoi mëngjesin e sotëm se kundër I.D.S. (44) është ngritur kallëzim penal dhe se rasti është zbardhur plotësisht. I dyshuari e ka pranuar veprën.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut e dënoi ashpër, siç u shpreh, “aktin vandal dhe të papranueshëm të djegies së automjeteve me status diplomatik” në afërsi të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup.
Incidenti u dënua edhe nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë, e cila e cilësoi atë si “rezultat të gjuhës agresive politike dhe nxitjes së urrejtjes”, duke kritikuar njëkohësisht reagimin e pamjaftueshëm institucional në raste të mëparshme.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit, i dyshuari më 15 qershor kishte dalë nga shtëpia, ishte nisur me autobus drejt qendrës së qytetit dhe në një pikë karburanti pranë Ambasadës së Bullgarisë kishte mbushur benzinë në një shishe plastike.
Më pas ai kaloi rrugën, iu afrua dy automjeteve diplomatike të parkuara në pronësi të Ambasadës, i spërkati me benzinë dhe u vuri flakën me një çakmak. Menjëherë pasi shkaktoi zjarrin, ai u largua nga vendi i ngjarjes.



