Nafta iraniane uli çmimet në tregjet botërore

Çmimet e naftës së papërpunuar në tregjet botërore shënuan një rënie të konsiderueshme pasi u publikuan informacione se nafta iraniane mund të rikthehet së shpejti në tregun global, duke nxitur pritshmëri për rritje të ofertës dhe ulje të presioneve inflacioniste.
Kontratat futures të naftës Brent ranë nën kufirin prej 80 dollarësh për fuçi, duke shënuar një ulje prej më shumë se një të tretës krahasuar me nivelet më të larta të mëparshme. Shkak për këtë lëvizje janë raportimet se SHBA-ja mund të lehtësojë ose heqë sanksionet ndaj eksporteve të naftës iraniane në kuadër të një marrëveshjeje për përfundimin e konfliktit, raportoi The Guardian.
Tregjet reaguan pozitivisht ndaj mundësisë së rikthimit të sasive shtesë të naftës nga Lindja e Mesme, gjë që rriti pritshmëritë për stabilizimin e furnizimit global me energji.
Në të njëjtën kohë, rënia e çmimeve të naftës kontribuoi në uljen e rendimenteve të obligacioneve shtetërore amerikane, ndërsa tregjet globale të obligacioneve shënuan rritje, të nxitura nga vlerësimet se inflacioni mund të vazhdojë të bjerë, raportoi Reuters.
Megjithëse tensionet gjeopolitike gjatë periudhës së fundit kanë krijuar pasiguri në tregjet energjetike dhe kanë ndikuar në rezervat strategjike të naftës, analistët vlerësojnë se një rifillim i mundshëm i eksporteve iraniane mund të sjellë lehtësim shtesë dhe stabilitet më të madh në tregun global të energjisë.



