Zvicra miraton trupa shtesë për misionin e KFOR-it në Kosovë

Parlamenti i Zvicrës ka miratuar rritjen e numrit të trupave që mund të dislokohen në kontingjentin paqeruajtës të Forcës së Kosovës të udhëhequr nga NATO-ja (KFOR), transmeton Anadolu.

Sipas raportimit të Swissinfo, vendimi i lejon qeverisë të dërgojë deri në 300 pjesëtarë ushtarakë në kontingjentin Swisscoy që shërben në kuadër të KFOR-it, nga kufiri i mëparshëm prej 215 trupash.

Sipas masës së miratuar nga të dy dhomat e parlamentit, Këshilli Federal mund të dërgojë një kontingjent shtesë prej deri në 85 ushtarësh, nëse paraqitet nevoja.

Votimi vjen pasi parlamenti javën e kaluar miratoi zgjatjen e misionit Swisscoy deri në vitin 2029.

Shumica e ligjvënësve argumentuan se ky dislokim i shërben interesave të sigurisë dhe migracionit të Zvicrës, duke shprehur shqetësimin se paqëndrueshmëria në Ballkanin Perëndimor mund të rrisë presionin migrator ndaj vendit.

Zvicra merr pjesë në misionin e KFOR-it përmes kontingjentit të saj Swisscoy që nga viti 1999. Sipas raportimeve, ky është misioni më i madh jashtë vendit i ushtrisë zvicerane.

Të premten, NATO njoftoi se vitin e ardhshëm planifikon të reduktojë forcën paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë.

Aktualisht, rreth 4.600 trupa janë të dislokuara në kuadër të këtij misioni.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button