Arrestohet i dyshuari për djegien e dy automjeteve pranë Ambasadës Bullgare në Shkup

Policia ka identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar të djegies së dy automjeteve zyrtare në pronësi të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup.
Sipas njoftimit të MPB-së, menjëherë pas denoncimit për zjarrin në automjetet e ambasadës, policia ka ndërmarrë masa intensive për zbardhjen e rastit dhe gjetjen e autorit.
Brenda një periudhe të shkurtër kohore është identifikuar dhe privuar nga liria I.D. (44) nga Shkupi, për të cilin ekzistojnë dyshime të bazuara se është autori i veprës.
Gjatë veprimeve hetimore është gjetur edhe veshja që i dyshuari kishte të veshur në momentin e kryerjes së veprës. Ai është ndaluar në stacion policor, ndërsa në koordinim me prokurorin publik po ndërmerren veprime për zbardhjen e plotë të rastit.
Pas përfundimit të procedurës, ndaj të dyshuarit do të ngrihet kallëzim penal me procedurë urgjente.



