Nga mesnata ndryshon sistemi në pikat e pagesës në Maqedoni – Kujdes cilën korsi e zgjidhni!

Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore (NPRSH) njofton se nga mesnata e sotme (15 qershor 2026) hyjnë në fuqi ndryshime të reja në sistemin e pagesës në pikat e pagesës rrugore (tollat), duke apeluar që drejtuesit e automjeteve të kontrollojnë me kujdes tabelat elektronike para se të zgjedhin korsinë.
Sipas njoftimit, korsitë e shënuara për M-TAG do të jenë të dedikuara ekskluzivisht për përdoruesit e pajisjeve elektronike M-TAG. Nga tani e tutje, pagesa me M-Card nuk do të lejohet më në këto korsi.
Përdoruesit do të duhet të ndjekin shenjat elektronike që tregojnë qartë llojin e pagesës për secilën korsi:
Pagesë me M-TAG
Pagesë me M-Card
Pagesë me para në dorë (Cash) dhe M-Card
Ndërmarrja apelon gjithashtu për respektimin e sinjalizimit horizontal dhe vertikal në pikat e pagesës. Shoferët duhet t’i kushtojnë vëmendje sinjaleve:
🟢 Shigjeta e gjelbër – korsi e hapur për qarkullim
❌ X i kuq – korsi e mbyllur
Mosrespektimi i destinimit të korsive dhe i sinjalizimit mund të shkaktojë bllokime në komunikacion dhe të ndikojë në sigurinë e trafikut.
Autoritetet theksojnë se ky njoftim bëhet për t’i informuar me kohë qytetarët dhe për t’i ndihmuar ata të përshtaten me ndryshimet e reja në sistemin e pagesës në autostrada.



