Sali viziton fabrikën e Alim Group në Stamboll: Histori suksesi që forcojnë bashkëpunimin ekonomik mes RMV-së dhe Turqisë

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, gjatë qëndrimit zyrtar në Stamboll së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, vizitoi fabrikën e kompanisë Alim Group, në pronësi të afaristit Naser Alimi.
Përmes një njoftimi, Sali vlerësoi suksesin e kompanisë si një shembull të arritjeve që mund të realizohen përmes vizionit të qartë, profesionalizmit dhe punës së palodhshme.
“Suksese të tilla janë dëshmi se me vizion të qartë, profesionalizëm dhe punë të palodhshme mund të ndërtohen histori të fuqishme suksesi që na bëjnë krenarë të gjithëve”, deklaroi Sali.
Ai theksoi se arritje të tilla përbëjnë një motiv shtesë për institucionet që të mbështesin sipërmarrjen dhe investimet që gjenerojnë vende të reja pune dhe nxisin zhvillimin ekonomik.
Gjatë takimit me drejtuesit e kompanisë, sipas Salit, është diskutuar për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së investimeve ndërmjet dy vendeve.
“Gjatë takimit biseduam për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe zgjerimit të investimeve, duke pasur parasysh se kompania tashmë është e pranishme dhe e suksesshme në tregun tonë”, u shpreh ai.
Zëvendëskryeministri i parë shtoi se partneritete të tilla kanë potencial të madh për të forcuar lidhjet ekonomike mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, si dhe për të krijuar mundësi të reja zhvillimi.
“Jam i bindur se partneritete të tilla do të kontribuojnë në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe në krijimin e mundësive të reja për zhvillim”, theksoi Sali.
Vizita u realizua në kuadër të qëndrimit të delegacionit qeveritar të Maqedonisë së Veriut në Turqi, ku po zhvillohen takime dhe aktivitete të fokusuara në avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të reja.



