Kriza demografike në Japoni thellohet, regjistrohet numri më i ulët i lindjeve deri më tani

Numri vjetor i lindjeve dhe norma e fertilitetit në Japoni kanë rënë në nivele rekord, duke vënë në pah thellimin e krizës demografike në vend, pasi gjithnjë e më pak njerëz po martohen dhe po krijojnë familje, transmeton Anadolu.
Të dhënat qeveritare të publikuara këtë javë treguan se në vitin 2025 kanë lindur pak më shumë se 671.000 foshnja, rreth 15.000 më pak se një vit më parë dhe numri më i ulët që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1899, raportoi Korporta Japoneze e Transmetimeve (NHK) të premten vonë.
Norma e fertilitetit — mesatarja e numrit të fëmijëve që pritet të ketë një grua gjatë jetës së saj — gjithashtu ka rënë në nivel rekord prej 1,14.
Shifrat shënojnë vitin e dhjetë radhazi të rënies së lindjeve dhe kanë alarmuar ekspertët, të cilët thonë se rënia po ndodh shumë më shpejt se sa ishte parashikuar më parë.
Studiuesit qeveritarë kishin parashikuar që fertiliteti nuk do të binte në një nivel kaq të ulët deri në vitet 2040.
Një faktor kryesor pas këtij trendi është rënia e ndjeshme e martesave. Japonia regjistronte rreth 800.000 martesa në vit në fillim të shekullit, por ky numër ka rënë në rreth 500.000.
Meqë shumica e fëmijëve në Japoni lindin brenda martesës, numri më i vogël i martesave kanë kontribuuar në rënien e lindjeve.
Megjithatë, pavarësisht këtyre faktorëve, sondazhet tregojnë se rreth 80 për qind e japonezëve beqarë ende shpresojnë të martohen.
Ekspertët thonë se ndryshimet sociale e kanë bërë më të vështirë për njerëzit të gjejnë partnerë.
Më pak çifte tani njihen përmes kanaleve tradicionale si vendet e punës, shkollat apo miqtë e përbashkët, pjesërisht për shkak të punës nga distanca dhe shqetësimeve për privatësinë dhe ngacmimet në vendin e punës.
Si rezultat, agjencitë e martesave po shohin rritje të popullaritetit, veçanërisht tek të rinjtë që kërkojnë mënyra më të strukturuara dhe efikase për të gjetur partnerë afatgjatë.
Popullsia e plakur dhe në tkurrje e Japonisë mbetet një nga sfidat më të mëdha ekonomike dhe sociale të vendit.



