Çfarë parasheh Ligji i ri për Armët?

Projektligji i ri për armët, i cili pritet të zëvendësojë ligjin që zbatohet që nga viti 2005, sjell ndryshime të rëndësishme në posedimin, blerjen, mbajtjen dhe kontrollin e armëve në Maqedoninë e Veriut, duke synuar harmonizimin me standardet evropiane.

Një nga risitë kryesore është kufizimi i numrit të armëve që mund të posedojë një person fizik. Sipas propozimit, një qytetar do të mund të ketë maksimumi 10 armë me leje. Përjashtim bëjnë sportistët aktivë të qitjes, të cilët mund të posedojnë më shumë armë nëse plotësojnë kushtet ligjore.

Personat që aktualisht posedojnë më shumë se 10 armë do të kenë afat prej një viti për t’u përshtatur me rregullat e reja, duke i shitur, dorëzuar, çaktivizuar ose regjistruar si pjesë e një koleksioni.

Projektligji sjell edhe kategorizim të ri të armëve. Në kategorinë A përfshihen armët e ndaluara, si armët automatike të zjarrit, armët e maskuara si objekte të tjera, disa lloje municionesh, paralizuesit elektrikë dhe një pjesë e armëve gjysmëautomatike me karikatorë me kapacitet të lartë.

Vëmendje e veçantë i kushtohet armëve gjysmëautomatike, pasi një pjesë e tyre kalojnë në kategorinë e ndaluar nëse mundësojnë shkrepjen e shumë fishekëve pa rimbushje dhe përdorin karikatorë me kapacitet të madh.

Në kategorinë B mbeten armët që mund të blihen vetëm me miratim nga Ministria e Punëve të Brendshme, si pistoletat, revolverët, armët e gjuetisë dhe ato sportive, si dhe disa lloje armësh gjysmëautomatike dhe pneumatike.

Për herë të parë, pajisjet Airsoft dhe Paintball rregullohen qartë me ligj. Ato do të klasifikohen në kategorinë C dhe do të duhet të regjistrohen, megjithëse nuk do të trajtohen si armë klasike zjarri.

Ligji vendos edhe kufizime për municionin. Një person fizik do të mund të blejë dhe posedojë deri në 500 fishekë në vit për armët me tytë të vijëzuar. Sasi më të mëdha do të lejohen vetëm nëse dëshmohet nevoja për aktivitete sportive ose gjuetie.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është vlefshmëria e lejeve për armë, të cilat do të kenë afat prej pesë vitesh. E njëjta periudhë do të vlejë edhe për kompanitë dhe personat që merren me sigurim privat.

Kushtet për marrjen e lejes bëhen më të rrepta. Aplikuesi duhet të jetë madhor, i aftë shëndetësisht, të mos paraqesë rrezik për rendin publik, të ketë arsye të justifikuar për posedimin e armës, njohuri për përdorimin dhe ruajtjen e saj, si dhe vendbanim në Maqedoninë e Veriut.

Për disa armë me tytë të vijëzuar vendoset kufi minimal moshe prej 25 vjetësh, përveç personave që janë anëtarë aktivë të klubeve të qitjes për më shumë se dy vjet.

Projektligji adreson edhe sfidat e reja teknologjike, duke përfshirë armët gjysmë të prodhuara, pjesët kryesore të papërfunduara dhe planet teknike për prodhimin e armëve me printerë 3D, makina CNC dhe pajisje të ngjashme.

Po ashtu parashihet edhe leja evropiane për armë zjarri, dokument që do të dëshmojë pronësinë dhe të drejtën e përdorimit të armës, duke lehtësuar kontrollin dhe lëvizjen e saj në përputhje me rregulloret e Bashkimit Evropian.

Gjatë debatit publik në Komisionin parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri, përfaqësues të institucioneve, sportistëve të qitjes, gjuetarëve dhe sektorit të sigurimit privat paraqitën vërejtje, veçanërisht lidhur me afatin pesëvjeçar të lejeve dhe nevojën për rregullim më të detajuar të armëve sportive.

Sipas arsyetimit të Qeverisë, qëllimi i ligjit është forcimi i kontrollit mbi armët civile dhe harmonizimi i legjislacionit vendor me direktivat e Bashkimit Evropian për kontrollin e blerjes dhe posedimit të armëve.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button