Izraeli deporton një gazetare franceze për shkak të kritikave ndaj gjen.ocidit në Gaza

Izraeli ka ndaluar hyrjen një gazetareje franceze dhe e ka deportuar atë drejt Parisit për shkak të kritikave të saj ndaj luftës dyvjeçare gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës.
Ministri izraelit i Komunikimeve, Amichai Chikli, në një postim në rrjetin social X tha se gazetarja franceze Alice Froussard po largohet nga Aeroporti Ben Gurion dhe po kthehet në Francë.
“Kam kënaqësinë të njoftoj se Alice Froussard, gazetarja franceze pro-Hamas, e cila beson se masakra e 7 tetorit duhet parë në kontekst, po largohet nga Aeroporti Ben Gurion në rrugën e saj të kthimit për në Paris”, shkroi Chikli.
Sipas faqes izraelite të lajmeve The Times of Israel, Ministria e Punëve të Jashtme tha se Froussard mbërriti në Izrael sot për punë, por u ndalua dhe u vendos në një fluturim kthimi drejt Francës.
Ministria pretendoi se hetuesit kishin konstatuar se gazetarja kishte bërë një sërë deklaratash të konsideruara armiqësore ndaj Izraelit, përfshirë përshkrimin e operacioneve ushtarake izraelite në Gaza si një “masakër”, akuzimin e Izraelit për aparteid dhe sipas pretendimeve justifikimin e ngjarjeve të 7 tetorit të vitit 2023.
Froussard nuk komentoi menjëherë deportimin e saj ose akuzat e ngritura kundër saj.
Sipas The Times of Israel, Froussard ka jetuar dhe punuar gjatë gjashtë viteve të fundit në Kuds dhe Ramallah dhe ka punuar për disa media franceze, përfshirë Radio France Internationale (RFI), France Culture, Le Figaro, TV5 Monde dhe Mediapart.
Raporti tha se Ambasada e Francës në Izrael shprehu pakënaqësi të fortë ndaj këtij vendimi.
Izraeli ka deportuar dhe ua ka ndaluar hyrjen disa gazetarëve dhe aktivistëve të huaj në muajt e fundit për shkak të kritikave ndaj politikave dhe veprimeve izraelite.
Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë gati 73.000 persona dhe ka plagosur më shumë se 173.000 të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë, gjatë ofensivës së saj brutale në Gaza, e cila ka shkaktuar gjithashtu shkatërrim të gjerë të 90 për qind të infrastrukturës civile të enklavës.



