Bahrein, një fëmijë i plagosur dhe disa shtëpi të dëmtuara nga mbetjet e dronëve iranianë

Bahreini ka njoftuar se një vajzë 11-vjeçare pësoi lëndime të lehta ndërsa disa shtëpi dhe automjete u dëmtuan pasi mbetjet nga dronët e interceptuar iranianë ranë në zona të banuara, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Brendshme e Bahreinit në rrjetin social amerikan X tha se vajza mori trajtim mjekësor në vendngjarje. Ministria tha se disa automjete morën flakë dhe disa banesa u dëmtuan në Hamad dhe në kryeqytetin Manama, pasi mbetje të krijuara nga interceptimi dhe shkatërrimi i dronëve iranianë ranë në zona të populluara.
Ajo shtoi se ekipet e Mbrojtjes civile dhe të ambulancës kombëtare morën masat e nevojshme dhe ndërhynë në vendet e prekura.
Më herët, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) thanë se 18 objektiva kryesore ushtarake amerikane ishin goditur në bazat ajrore “Ali Al Salem” dhe “Ahmad Al Jaber” në Kuvajt si dhe në bazën ajrore “Sheikh Isa” në Bahrein.
Këto zhvillime vijnë mes tensioneve që po përshkallëzohen me shpejtësi pas sulmeve amerikane ndaj jugut të Iranit dhe njoftimit të mëvonshëm të Teheranit se po mbyllte Ngushticën e Hormuzit për trafikun detar.



