OKB paralajmëron për nevoja “të jashtëzakonshme” humanitare pasi Izraeli lejon vetëm një pikëkalim drejt Gazës

OKB-ja ka paralajmëruar për përkeqësimin e kushteve humanitare në Rripin e Gazës, ndërsa Izraeli rihapi të vetmin pikëkalim të miratuar për mallrat drejt territorit të rrethuar, në mes të mungesës së ushqimit dhe një rënieje të ndjeshme të vakteve të shpërndara për civilët, transmeton Anadolu.

Duke cituar Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, tha në një konferencë për media se “autoritetet izraelite rihapën pikëkalimin Kerem Shalom, i cili mbetet e vetmja pikë hyrëse për ngarkesat e miratuara që hyjnë në Gaza”.

“Ndërkohë, OKB-ja dhe partnerët tanë humanitarë vazhdojnë t’u përgjigjen nevojave të njerëzve pavarësisht pengesave burokratike dhe mungesës së fondeve, për të ruajtur operacionet dhe për të arritur te sa më shumë persona të cenueshëm”, shtoi ai.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për ndihmë, tha Haq, “nevojat mbeten të jashtëzakonshme”. Ai theksoi se “dhjetëra mijëra familje jetojnë në strehimore të mbipopulluara, ndërsa shumë të tjera vazhdojnë të flenë në ambiente të hapura ose në ndërtesa të dëmtuara”.

Haq tha se me rritjen e temperaturave, tendat dhe strehimoret e improvizuara “mbajnë nxehtësinë dhe bëhen të pabanueshme gjatë ditës”, duke shtuar se partnerët humanitarë kanë kërkuar lejimin e hyrjes së furnizimeve jetike, përfshirë thasë me rërë, lëndë druri, kompensatë dhe çimento.

Sa i përket qasjes në ushqim, Haq tha se familjet po e kanë “gjithnjë e më të vështirë të sigurojnë ushqim, përfshirë bukën, pas mbylljes së shumë kuzhinave”.

Ai tha se deri në fund të muajit maj, 23 partnerë humanitarë po shpërndanin rreth 678.000 vakte në ditë përmes 80 kuzhinave, një rënie e ndjeshme krahasuar me 1.5 milionë vakte në ditë të ofruara nga 170 kuzhina në mesin e marsit.

Izraeli ka vendosur bllokadë ndaj Rripit të Gazës që nga viti 2007. Rreth 1.5 milionë palestinezë nga 2.4 milionë banorë të enklavës janë tashmë të pastrehë dhe jetojnë në kushte katastrofike pasi lufta gjenocidale e Izraelit shkatërroi shtëpitë e tyre.

Lufta izraelite që nga tetori 2023 ka vrarë gati 73.000 palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 173.000 të tjerë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button