Izraeli miraton konfiskimin e të ardhurave doganore palestineze

Knesseti (parlamenti) izraelit ka miratuar konfiskimin e fondeve nga të ardhurat doganore palestineze, në një hap që mund të thellojë krizën financiare të Autoritetit Palestinez.
Të ardhurat doganore janë taksa të vendosura mbi mallrat e importuara në territoret palestineze, qoftë nga Izraeli apo përmes pikave kufitare të kontrolluara nga Tel Avivi, të cilat Izraeli i mbledh në emër të Autoritetit Palestinez.
Megjithatë, që nga viti 2019, Izraeli vendosi të zbresë shuma nga këto të ardhura nën pretekste të ndryshme, duke shkaktuar një krizë financiare që e la Autoritetin Palestinez të paaftë për të paguar plotësisht pagat e punonjësve të tij.
Knesseti tha në një deklaratë të martën se seanca plenare miratoi të hënën, në lexim të dytë dhe të tretë, një projektligj për ngrirjen e të ardhurave doganore. Me miratimin në leximin e dytë dhe të tretë, propozimi është shndërruar në ligj.
Sipas Knessetit, ligji parashikon “zbritjen e një shume nga fondet që Izraeli i transferon çdo vit Autoritetit Palestinez, sipas përcaktimit të Komitetit Ministror për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, ndërsa shuma do të bazohet në një raport të paraqitur nga ministri i Financave (Bezalel Smotrich)”.
Presioni financiar në Bregun Perëndimor të pushtuar
Gjatë viteve të fundit, gjykatat izraelite kanë urdhëruar Autoritetin Palestinez të paguajë kompensime me vlerë dhjetëra milionë dollarë për izraelitët që pretendojnë se janë dëmtuar nga sulme palestineze.
Edhe pse Smotrich ka zbritur këto pagesa kompensimi nga të ardhurat doganore, ligji i ri i shndërron këto zbritje në legjislacion, dhe jo më thjesht në udhëzime ministrore.
Muajin e kaluar, kryeministri palestinez Mohammad Mustafa akuzoi Izraelin se po e “mbyt” Bregun Perëndimor të pushtuar përmes “mjeteve politike, të sigurisë dhe koloniale, si dhe përmes vazhdimit të zbritjes së të ardhurave doganore palestineze”.
“Këto zbritje janë përshkallëzuar gjatë 12 muajve të fundit, pasi Izraeli nuk ka transferuar asnjë të ardhur nga taksat dhe doganat në arkën e shtetit”, tha ai.
Sipas Protokollit Ekonomik të Parisit, një aneks i Marrëveshjes së Oslos, i nënshkruar në vitin 1994 mes Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, Ministria izraelite e Financave mbledh të ardhurat doganore në pikat kufitare.
Në këmbim të këtij shërbimi, Izraeli përfiton 3 për qind të shumës totale të të ardhurave doganore të mbledhura, vlera vjetore e të cilave arrin afërsisht në 102 milionë dollarë.



