Afrim Gashi kryeson dy takime në Kuvend, në fokus zhvillimi strategjik dhe transparenca institucionale

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka kryesuar dy takime të rëndësishme në Kuvend, ku janë shqyrtuar çështje që lidhen me zhvillimin strategjik të shtetit dhe forcimin e kapaciteteve parlamentare.
“Gjatë ditës së sotme kryesova dy takime të rëndësishme në Kuvend.
Në Mbledhjen e Tretë të Grupit Parlamentar Ndërpartiak për ndjekjen e Strategjisë Nacionale të Zhvillimit, për herë të parë që nga miratimi i SNZH-së, u shqyrtua Raporti vjetor për zbatimin e Strategjisë, duke konfirmuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolit mbikëqyrës të Kuvendit në realizimin e prioriteteve afatgjata të shtetit. Në Mbledhjen e Gjashtë të Këshillit Drejtues të Programit për Mbështetje Parlamentare, u miratua raporti financiar dhe operativ për periudhën janar–maj 2026, duke vlerësuar progresin në forcimin e kapaciteteve parlamentare dhe transparencës institucionale.
Vazhdojmë të punojmë për institucione më të forta, më efikase dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve”, ka shkruar Gashi.

