Mexhiti: Panairi i Librit, hapësirë e rëndësishme për kulturën dhe identitetin shqiptar

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka vlerësuar se Panairi i Librit Shqip në Shkup përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore, duke e cilësuar si një hapësirë që promovon librin, dijen dhe identitetin kulturor shqiptar.

Përmes një njoftimi publik, Mexhiti theksoi se panairi u karakterizua nga aktivitete të shumta, promovime dhe momente të veçanta që pasuruan jetën kulturore në kryeqytet.

“Sa i pasur me ngjarje, promovime dhe momente të veçanta ishte Panairi i Librit Shqip në Shkup!”, ka deklaruar ai.

Një nga momentet qendrore të aktivitetit, sipas tij, ishte ora përkujtimore kushtuar poetes dhe studiueses Lindita Ahmeti, në përvjetorin e dytë të ndarjes së saj nga jeta, ku u rikthye në vëmendje vepra dhe trashëgimia e saj letrare.

“Përmes leximit dhe diskutimit të poezive të saj, u rikthye në vëmendje vepra dhe trashëgimia e një krijueseje që la gjurmë të thella në kulturën shqiptare”, u shpreh Mexhiti.

Ai shtoi se panairi solli edhe promovimin e veprave të reja të letërsisë bashkëkohore shqipe, duke përfshirë romanet “Në mëni të njeni-tjetrit” të Besnik Mustafaj dhe “Net dhe mjaltë” të Liridon Mulaj.

Sipas tij, këto aktivitete e pasurojnë programin kulturor me diskutime, ide dhe perspektiva të reja letrare.

“Me kujtimin e figurave që kanë lënë gjurmë në kulturën tonë dhe me mbështetjen e autorëve të sotëm, Panairi i Librit Shqip në Shkup vazhdon të jetë një hapësirë e rëndësishme për promovimin e librit, dijes dhe identitetit tonë kulturor”, përfundoi Mexhiti.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button