Elmazi: Pas 12 vitesh pritjeje, vihet gurthemeli i sallës multifunksionale në SH.F. “Drita” në Rashçe

Në fshatin Rashçe të Komunës së Sarajit sot është hedhur gurthemeli i sallës multifunksionale në Shkollën Fillore “Drita”, një projekt i shumëpritur që, sipas autoriteteve lokale, po realizohet pas 12 vitesh pritjeje.
Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, deklaroi se ky investim përfaqëson një hap të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe të rinjtë e zonës.
“Sot hodhëm gurthemelin e sallës multifunksionale në SH.F. ‘Drita’ në Rashçe – një projekt i shumëpritur që po bëhet realitet pas 12 vitesh pritjeje”, theksoi Elmazi.
Sipas tij, realizimi i këtij projekti dëshmon përkushtimin e komunës ndaj premtimeve të dhëna dhe nevojave të qytetarëve.
“Ky investim është dëshmi se premtimet mbahen kur ekziston vullneti për punë dhe përkushtim ndaj qytetarëve”, u shpreh ai.
Elmazi nënvizoi se objekti i ri do të krijojë kushte më të mira për aktivitetet sportive dhe zhvillimin e të rinjve.
“Fëmijët dhe të rinjtë tanë meritojnë kushte dinjitoze për sport, zhvillim dhe suksese të reja”, deklaroi kryetari i Sarajit.
Ai shtoi se komuna do të vazhdojë të investojë në projekte infrastrukturore dhe arsimore në të gjitha vendbanimet.
“Vazhdojmë të investojmë aty ku ka nevojë dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për çdo vendbanim të Komunës së Sarajit”, përfundoi Elmazi.



