Mickoski takon Macronin: Synim i përbashkët avancimi i perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka zhvilluar një takim me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, gjatë të cilit është biseduar për zhvillimet në rajon, të ardhmen e qytetarëve dhe perspektivën evropiane të vendit.
Përmes një njoftimi publik, Mickoski e cilësoi takimin si “miqësor dhe të përzemërt”, duke theksuar rëndësinë e dialogut me një nga shtetet më me ndikim në Evropë.
“Diskutuam për rajonin, për çështjet e rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve tanë dhe për perspektivat evropiane, tema mbi të cilat kemi punuar prej kohësh”, deklaroi Mickoski.
Ai vlerësoi rolin e Francës në skenën evropiane dhe nënvizoi nevojën për komunikim të drejtpërdrejtë me partnerët strategjikë.
“Franca është një nga shtetet më me ndikim në Evropë, prandaj është e rëndësishme të bisedohet hapur, drejtpërdrejt dhe me pritshmëri të qarta”, tha kryeministri.
Sipas tij, qëllimi i diplomacisë maqedonase mbetet forcimi i marrëdhënieve me partnerët evropianë dhe sigurimi i mbështetjes për proceset integruese të vendit.
“Qëllimi ynë është të ndërtojmë miqësi, të hapim dyer dhe të sigurojmë më shumë mirëkuptim dhe mbështetje”, u shpreh Mickoski.
Në fund, ai theksoi se qeveria do të vazhdojë angazhimin drejt objektivave strategjike të vendit.
“Vazhdojmë me përkushtim dhe me një synim të qartë: të ecim përpara me vendosmëri”, përfundoi kryeministri Mickoski.



