Aktivisti holandez 12 vjet proteston kundër shtypjes që bën Izraeli në Palestinë

Aktivisti holandez Simon Vrouwe, i cili prej 12 vitesh proteston i vetëm në Amsterdam për të tërhequr vëmendjen ndaj padrejtësive që Izraeli u bën palestinezëve, tha: “Për sa kohë të kem fuqi, do të vazhdoj protestën. Unë qëndroj këtu edhe në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare”.

Aktivisti 80-vjeçar Vrouwe, i cili proteston i vetëm, pesë ditë në javë, pavarësisht kushteve atmosferike në sheshin “Dam”, një vend që frekuentohet shpesh nga turistët tërheq vëmendjen ndaj padrejtësive të Izraelit ndaj palestinezëve përmes flamujve palestinezë dhe pankartave që shpjegojnë ngjarjet në Palestinë, të cilat i sjell me një rimorkio të lidhur pas biçikletës së tij.

Aktivisti Vrouwe nuk heq dorë nga protesta e tij, në të cilën flet për pushtimin izraelit dhe mbledh donacione për palestinezët, pavarësisht moshës së shtyrë. Vrouwe, i cili deri më sot ka zhvilluar mijëra protesta në qendër të Amsterdamit, tha për Anadolu se qëllimi i tij është të demaskojë sionizmin dhe të mbledhë ndihma për njerëzit në Gaza.

Duke treguar se çdo ditë udhëton rreth 30 kilometra me biçikletë nga qyteti Purmerend, ku jeton, për të marrë pjesë në protestat në sheshin “Dam”, Vrouwe tha: “Kam lindur në vitin 1946, që do të thotë se tani jam 80-vjeç. Unë jam më i vjetër se Izraeli”.

Ai thotë se proteston i vetëm në sheshin “Dam” që nga viti 2014 dhe se aktivitetet që fillimisht i zhvillonte një herë në dy javë të dielave, sot i vazhdon pesë ditë në javë.

– “Izraeli zbaton politikë të vazhdueshme poshtërimi ndaj popullit palestinez”

Vrouwe thekson se dëshiron t’i informojë njerëzit për procesin historik që filloi me Deklaratën e Balfourit.

“Sot kjo (Deklarata e Balfourit) po përjetohet si gjenocid. Ajo që po ndodh në fakt është e njëjta gjë. Izraeli zbaton politikë të vazhdueshme poshtërimi ndaj popullit palestinez. E konsideron veten superior ndaj popullit palestinez. Ky mentalitet ekzistonte edhe gjatë procesit të krijimit pas Deklaratës së Balfourit. Që nga ajo periudhë mendohej se palestinezët duhej të largoheshin nga këto toka, por ata nuk u larguan. Prandaj rezistuan”, tha Vrouwe.

Ai tha se gjatë protestave të tij zakonisht merr reagime pozitive nga njerëzit. “Ata e vlerësojnë praninë time këtu. Më shtrëngojnë dorën, më bëjnë komplimente. Natyrisht ka edhe nga ata që më mallkojnë”, tha Vrouwe.

– “Ata gjithmonë e kanë mbrojtur Izraelin”

Duke folur për ngjarjet në Gaza, Vrouwe tha: “Ajo që po ndodh është e tmerrshme dhe vazhdon pa ndërprerje. Është e pakuptueshme që askush nga jashtë nuk ndërhyn. Qytetërimi perëndimor mban përgjegjësi për të gjithë këtë histori. Ata e lejuan Izraelin të arrijë në pikën ku është sot. Ata gjithmonë e kanë mbrojtur dhe përkrahur Izraelin. Kjo është vërtet e pakuptueshme”.

Vrouwe tha se donacionet që mbledh u dërgohen familjeve në Gaza. “Për shembull, javën e kaluar mblodha më shumë se 1.200 euro brenda një jave. Kështu arrita t’u dërgoj nga 150 euro 14 familjeve në Gaza”, thotë ai.

Aktivisti holandez thekson se është në kontakt të përditshëm me njerëzit në Gaza. “Të gjithë e dinë se unë mbledh donacione këtu. Nevojat janë shumë të mëdha. Ka uri, ka fëmijë, ka sëmundje. Situata është vërtet shumë e dhimbshme”, u shpreh Vrouwe.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button