Gashi deri te opozita: Ligj për përfaqësim të drejtë nuk ka pas për 25 vite, ta votojmë bashkërisht

Kryetari i Kuvendit dhe përfaqësuesi i VLEN-it, Afrim Gashi në intervistën për Alsat-M ka thënë se Ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk ka pasur për 25 vite dhe me këtë i ka bërë thirrje opozitës që të votohet bashkërisht.
“Po e shfrytëzoj rastin të përmend një shembull konkret si jam sjellur kur kam qenë në opozitë dhe kur ka pasur ligje me interes më të gjerë dhe të përgjithshëm. Do ta përmend rastin për Ligjin për gjuhët që është sjell në vitin 2018 ku si deputet i opozitës i kam dhënë vërejtjet e mia dhe kam thënë se ky ligj nuk e përmbyll çështjen e Ligjit të përdorimit të gjuhës dhe e kam votuar pa zhurmë pasi ka qenë avancim i përdorimit të gjuhës”, ka thënë Gashi.
Për dallim nga viti 2008 deri 2011, sipas tij ligji për gjuhët ka pasur një avancim të dukshëm dhe për këtë siç tha “e kam votuar”.
“Nëse e marrim si paralele, Ligj për përfaqësim që drejtë dhe adekuat për 25 vite nuk ka pasur aspak dhe dy vite punohet në këtë me ekspertë të vendit dhe të huaj dhe duke konsultuar edhe Komisionin e Venecias dhe në fund të na vjen një ligj i tillë- sugjerimi im është se këtë ligj duhet bashkërisht ta votojmë si mbyllje e një zbrazëtire të madhe që ka ekzistuar”, ka thënë Gashi, duke shtuar se përdorimi i gjuhës shqipe në mënyrë zyrtare të plotë, nuk e rrezikon aspak interesin shtetëror dhe kjo do të ishte vlerë që duhet kontribuar bashkërisht për të krijuar një klimë pozitive në vend.



