Kosovë, ngrihet aktakuzë për krime lufte ndaj pesë personave

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, transmeton Anadolu.
PSRK-ja ka njoftuar se personat me inicialet P.N.,Z.D.,I.I.,S.M., dhe J.D. akuzohen se, si pjesëtarë të policisë serbe në Stacionin Policor në Fushë Kosovë, më 6 maj 1999, kanë kryer krime lufte në Fushë Kosovë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë ndaluar dhe marrë me forcë pesë civilë, të cilët nga stacioni i trenit u transportuan në vendin e quajtur “Megja”, ku janë ekzekutuar me armë zjarri.
PSRK-ja i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, pasi të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.



