Projektligji për duhanpirjen të martën në seancë qeveritare, Mickoski paralajmëron inspektime rigoroze

Projektligji i ri për duhanpirjen nuk është hartuar në mënyrë ad-hoc, por në konsultim me të gjitha palët e interesuara dhe përmes një procesi gjithëpërfshirës, deklaroi sot kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në takimin me shoqatat e zejtarëve në Qeveri. Ai njoftoi se ligji do të vendoset në rend dite në seancën qeveritare të së martës, ndërsa qëllimi i Qeverisë është të zvogëlojë sa më shumë përdorimin e produkteve të duhanit.
“Ju siguroj se inspektimet do të jenë rigoroze në të gjithë territorin e shtetit. Po e përsëris këtë: nuk do të ketë rajone, qytete apo vendbanime të privilegjuara ku ligji nuk do të respektohet. Për këtë ju garantoj dhe këtu nuk do të ketë asnjë tolerancë”, tha Mickoski.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, theksoi se ligji aktual është miratuar në vitin 1995 dhe se, pavarësisht nëntë ndryshimeve të bëra ndër vite, ai nuk i përgjigjet më realitetit në vend.
Sipas tij:
Rreth 3.600 raste vdekjeje në vit, ose afërsisht 13 për qind e të gjitha vdekjeve në shtet, lidhen me përdorimin e duhanit.
Humbja ekonomike vjetore arrin në 38 miliardë denarë (mbi 600 milionë euro), që përbën 5,16 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Rreth 13,6 për qind e të rinjve të moshës 13 deri në 15 vjeç përdorin produkte të duhanit ose nikotinës, që është norma më e lartë që nga viti 2002. Po ashtu, 73 për qind e të rinjve duhanpirës nuk janë penguar të blejnë cigare për shkak të moshës së tyre.
“Ligji nuk ndalon prodhimin, importin, eksportin apo shitjen e produkteve të duhanit, por rregullon përdorimin dhe promovimin e tyre aty ku ato ndikojnë te publiku. Ligji i ri siguron ajër të pastër në hapësirat e mbyllura publike dhe të punës, duke përfshirë plotësisht edhe cigaret elektronike dhe produktet e duhanit pa djegie. Ai rrit mbrojtjen e fëmijëve përmes ndalimit të duhanpirjes në automjete private kur në to ndodhet një fëmijë, si dhe ndalon plotësisht duhanpirjen në një distancë më të vogël se 20 metra nga hyrjet e shkollave, kopshteve dhe institucioneve shëndetësore”, tha Aliu.
Ai shtoi se ligji i ri vendos një kriter të qartë për lejimin e duhanpirjes në tarracat verore, të cilat duhet të jenë të hapura së paku nga dy anë. Gjithashtu, parashikohet ndalim i plotë i promovimit dhe sponsorizimeve të produkteve të duhanit në platformat online, rrjetet sociale dhe përmes marketingut të influencerëve.
Sipas Aliut, ligji përfshin edhe një sistem efikas mbikëqyrjeje, duke paraparë angazhimin e 14 organeve mbikëqyrëse dhe inspektuese me kompetenca të përcaktuara qartë.