Këshilltari kryesor i Ali Ahmetit: Unë jam me Izraelin dhe dua që ata të vijnë në tokat tona

Këshilltari kryesor i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, Xhelal Bajrami, ka publikuar një qëndrim të gjatë në të cilin vlerëson historinë, qëndrueshmërinë dhe kontributin e popullit izraelit, duke bërë thirrje për më shumë bashkëpunim dhe mirëkuptim ndërmjet shqiptarëve dhe izraelitëve.
Në reagimin e tij, Bajrami theksoi se si mysliman dhe njeri i paqes e konsideron historinë e izraelitëve si një shembull të jashtëzakonshëm të mbijetesës dhe qëndrueshmërisë.
“Unë, si mysliman dhe njeri i paqes, jap me sinqeritet mendimin tim për këtë popull të jashtëzakonshëm, ashtu siç përmendet në librat e shenjtë të dërguar nga Krijuesi i Madh i Gjithësisë”, shkroi Bajrami.
Ai vlerësoi faktin se populli hebre ka mbijetuar përballë sfidave të shumta historike, duke përmendur përndjekjet dhe përpjekjet për zhdukje në periudha të ndryshme të historisë.
“Ky është një komb i vogël në numër, por me një forcë të jashtëzakonshme dhe me një aftësi të rrallë për t’u ringritur”, tha ai.
Sipas Bajramit, izraelitët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në fusha si shkenca, mjekësia, filozofia, letërsia, financat dhe teknologjia, ndërsa suksesin e shtetit të Izraelit e lidhi me dijen, organizimin dhe punën.
“Një vend që, pavarësisht kushteve të vështira natyrore dhe mungesës së burimeve të mëdha energjetike, ka arritur zhvillim të lartë përmes dijes, teknologjisë, punës dhe organizimit”, theksoi ai.
Bajrami nënvizoi gjithashtu rëndësinë e figurave profetike të lidhura me traditën hebraike, të përmendura në librat e shenjtë, duke e cilësuar popullin hebre si bartës të traditës së monoteizmit.
Në fund të reagimit, këshilltari i Ahmetit bëri thirrje për dialog dhe bashkëpunim më të madh ndërmjet popujve.
“Besoj se popujt e Lindjes së Mesme dhe të gjithë popujt e botës do të përfitonin më shumë nga bashkëpunimi, dialogu dhe respekti i ndërsjellë sesa nga konflikti”, deklaroi Bajrami.
Ai shtoi se mirëpret çdo nismë që forcon miqësinë dhe bashkëpunimin mes popullit shqiptar dhe atij izraelit, duke shprehur mbështetje edhe për praninë e izraelitëve në Shqipëri, të cilën e lidhi me zhvillimin dhe prosperitetin ekonomik.


