Netanyahu: Izraeli kontrollon 60 për qind të Gazës dhe synon ta zgjerojë në 70 për qind

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pranuar se Izraeli aktualisht kontrollon 60 për qind të Rripit të Gazës dhe ka sinjalizuar plane për ta zgjeruar këtë kontroll në 70 për qind, transmeton Anadolu.
“Aktualisht kontrollojmë 60 për qind të Rripit të Gazës dhe udhëzimet e mia janë të ecim drejt kontrollit të 70 për qind”, tha Netanyahu gjatë një seminari në Luginën e Jordanit.
Sipas transmetuesit izraelit Channel 12, ai nuk dha detaje se si do të zbatoheshin këto plane.
Në tetor të vitit të kaluar, ushtria izraelite njoftoi se kontrollonte 53 për qind të Rripit të Gazës pas ri-pozicionimit në të ashtuquajturën “vija e verdhë”, sipas fazës së parë të planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Marrëveshja parashikonte tërheqje të mëtejshme izraelite në kuadër të fazës së dytë, e nisur në janar. “Vija e verdhë” i referohet një zone të përkohshme ndarëse në lindje të Gazës që ndan zonat nën kontrollin ushtarak izraelit nga zonat ku palestinezët lejohen të qëndrojnë.
Por burime palestineze thonë se kufiri është shtyrë vazhdimisht drejt perëndimit në muajt e fundit.
Bassem Naim, një zyrtar i lartë i Hamasit, tha për Anadolu se Izraeli e ka zhvendosur vijën me edhe 8 për qind deri në 9 për qind shtesë brenda territorit të Gazës, duke e çuar zonën nën kontroll izraelit në më shumë se 60 për qind.
Ky ndryshim ka zvogëluar hapësirën në dispozicion të palestinezëve në rreth 38 për qind të enklavës, duke përkeqësuar edhe më tej krizën e rëndë humanitare.
Izraeli nisi një luftë gjenocidale në Gaza në tetor të vitit 2023, duke vrarë më shumë se 72.000 palestinezë dhe duke plagosur mbi 172.000 të tjerë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.



