Gjermania thërret ambasadorin rus pas kërkesës së Moskës për t’u larguar nga Kievi

Gjermania ka thërritur sot ambasadorin e Rusisë pas sulmeve të reja ruse ndaj Ukrainës dhe paralajmërimeve nga Moska se diplomatët e huaj duhet të largohen nga Kievi sa më shpejt të jetë e mundur, transmeton Anadolu.
“Sulmet ndaj spitaleve, shkollave dhe studiove gjermane televizive, si dhe kërkesa që ambasada jonë të largohet nga Kievi: Rusia po mbështetet në kërcënime, terror dhe përshkallëzim”, tha Ministria e Jashtme gjermane në një deklaratë, duke shtuar se ambasadori rus është thërritur në ministri.
“Ne ia bëmë të qartë Rusisë sot: nuk do të frikësohemi nga kërcënimet dhe do të vazhdojmë ta mbështesim fuqishëm Ukrainën”, tha ministria.
Veprimi i Gjermanisë erdhi pasi Rusia njoftoi plane për një valë të re “sulmesh sistematike” ndaj objekteve që i cilësoi si të lidhura me ushtrinë në Kiev dhe paralajmëroi shtetasit e huaj dhe diplomatët të largohen nga kryeqyteti ukrainas sa më shpejt të jetë e mundur.



