1 i vdekur dhe 24 të plagosur nga sulmi masiv rus me raketa balistike dhe dronë në Ukrainë

Shpërthime u dëgjuan në Kiev pasi zyrtarët amerikanë dhe ukrainasë dje paralajmëruan se Rusia mund të ishte duke përgatitur një sulm me raketa, i cili përfundimisht la të paktën një person të vdekur dhe 24 të plagosur, transmeton Anadolu.
Të paktën 13 persona janë dërguar në spital, ndërsa tre prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Siç raporton Kyiv Independent, paralajmërimi erdhi pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi hakmarrje për një sulm vdekjeprurës ukrainas.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se të paktën një person u vra dhe më shumë se 20 u plagosën gjatë natës, pasi sulmet goditën disa pjesë të kryeqytetit, përfshirë ndërtesa banimi, një konvikt studentor, një servis makinash dhe një qendër tregtare.
“Numri i të plagosurve në Kiev është rritur në 24, përfshirë një djalë 15-vjeçar,” shkroi Klitschko në Telegram, duke shtuar se tre persona janë në gjendje serioze.
Mbrëmë vonë, Forcat Ajrore të Ukrainës paralajmëruan se një raketë balistike me rreze të mesme, e njohur si Oreshnik, mund të jetë lëshuar.
Tymur Tkachenko, administratori ushtarak i Kievit, tha se qyteti po përballej me një “sulm masiv balistik” dhe u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në strehimore.
Më herët, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se inteligjenca nga burime ukrainase, amerikane dhe evropiane tregon se Rusia mund të ishte duke u përgatitur të përdorte raketat Oreshnik. Ai tha se informacioni po verifikohej dhe bëri thirrje për presion ndërkombëtar ndaj Moskës para se të ndodhë një përshkallëzim i mëtejshëm.



