Aktivistët e Koresë së Jugut kthehen në vend pas sekuestrimit izraelit të flotës së ndihmës për Gazën

Dy aktivistë të Koresë së Jugut u kthyen sot në atdheun e tyre pasi u liruan nga Izraeli pas ndalimit të një flotilje ndihmash me destinacion Gazën në ujërat ndërkombëtare, duke përshkallëzuar tensionet diplomatike dhe politike midis Seulit dhe Tel Avivit, transmeton Anadolu.

Kim Ah-hyun dhe Kim Dong-hyeon ishin midis gati 430 aktivistëve ndërkombëtarë që u përpoqën të dërgonin ushqim, ilaçe dhe furnizime humanitare në Rripin e Gazës mes bllokadës së vazhdueshme të Izraelit, raportoi “The Korea Herald”.

Aktivistët, nga vende si Spanja, Irlanda, Turqia, Franca dhe Indonezia, u ndaluan pasi forcat izraelite sekuestruan disa anije para se ato të arrinin në Gaza.

Kim Ah-hyun kishte qenë në bordin e anijes “Lina Al Nabulsi”, e cila u ndalua të martën ndërsa Kim Dong-hyeon udhëtoi me anijen “Kyriakos X”, e cila u sekuestrua një ditë më parë. Të dy u liruan të enjten nga paraburgimi në Izraelin jugor.

Duke folur me gazetarët pas mbërritjes në Korenë e Jugut, Kim Ah-hyun akuzoi forcat izraelite për “rrëmbim të paligjshëm” dhe sulm ndaj aktivistëve gjatë bastisjes.

Ah-hyun tha se pësoi lëndime në veshin e majtë pasi u rrah nga personeli izraelit dhe tani ka vështirësi në dëgjim. Pavarësisht kësaj vuajtjeje, u zotua të vazhdojë të marrë pjesë në misionet humanitare në Gaza, raportoi “The Korea Herald”.

Çështja ka intensifikuar me shpejtësi debatin politik në Korenë e Jugut pasi presidenti Lee Jae Myung dënoi publikisht veprimet e Izraelit dhe vuri në dyshim ligjshmërinë e tyre sipas ligjit ndërkombëtar.

Gjatë një takimi të kabinetit të mërkurën, Lee u drejtoi zyrtarëve të shqyrtonin lëshimin e një urdhër arresti për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, duke përmendur ndalimin e anijeve të ndihmës që transportonin qytetarë të Koresë së Jugut.

Duke iu referuar çështjes së krimeve të luftës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale kundër Netanyahut, Lee tha se “mjaft” vende evropiane kishin ndërmarrë tashmë veprime ligjore dhe sugjeroi që Seuli të rishikonte masa të ngjashme.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button