Sali: Takime bilaterale në EUSAIR, thellim i marrëdhënieve me partnerët evropianë

Në kuadër të Forumit të 11-të të EUSAIR dhe Takimit Ministror të Iniciativës Adriatiko-Joniane (AII), zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, zhvilloi një seri takimesh bilaterale me partnerë evropianë dhe rajonalë, me theks të veçantë në bashkëpunimin rajonal dhe procesin e integrimit evropian.
Në takimin me ministrin italian për Kohezion dhe Politikat Evropiane, Tommaso Foti, u diskutua vazhdimësia e prioriteteve dhe angazhimeve të përbashkëta në kuadër të presidencës së ardhshme italiane, me fokus në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajonin Adriatiko-Jonian.
Po ashtu, gjatë bisedimeve me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të DG REGIO, Hugo Sobral, u trajtua rëndësia e politikave të kohezionit dhe programeve evropiane për mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe mënyrat konkrete për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Në një takim të veçantë me Vladimir Drobnjak, u shkëmbyen mendime mbi sfidat dhe hapat e ardhshëm në procesin negociues me Bashkimin Evropian, duke u theksuar rëndësia e përvojës dhe ekspertizës së tij në mbështetjen e reformave dhe avancimit të procesit të integrimit evropian të vendit.



