Haxhiu përshëndet shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit: Është me rëndësi që procesi të zhvillohet në mënyrë të paanshme

Shpallja e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit është përshëndetur nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.
Presidenca e Republikës së Kosovës ka njoftuar se Haxhiu ka thënë se shpallja e konkursit e rikthen mundësinë për një proces të rregullt, transparent e të bazuar në meritë.
“Është me rëndësi që i gjithë procesi të zhvillohet në mënyrë të paanshme, të besueshme dhe larg çdo ndikimi politik apo interesi të ngushtë, në mënyrë që në krye të Prokurorisë së Shtetit të zgjidhet kandidati më kompetent dhe me integritet të lartë profesional”- citohet të ketë thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas Haxhiut, besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë ndërtohet përmes proceseve të drejta e të bazuara në meritokraci.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shpallur kokursin për pozitën e Kyreprokurorit të Shtetit në mbledhjen e mbajtur më 18.05.2026.
Ky propozim është mirtatuar me 5 vota për, një votë kundër dhe një abstendim.
Konkursi për Kryeprokuror të Shtetit do të jetë i hapur për 15 ditë.
Pozita e Kryeprokurorit të Shtetit në Kosovë nuk ka emër të ri që nga prilli i vitit 2020, meqë atëherë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e dekretoi Blerim Isufajn në këtë pozitë.
Më 21.04.2022, Besim Kelmendi, ishte zgjedhur ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit. Besim Kelmendi në mbledhjen e 20.11.2025 të Këshillit Prokurorial të Kosovës u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Ai kishte ushtruar padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të Këshillit.
Shkarkimi i Besim Kelmendit erdhi një ditë pasi ai e ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media, në të cilën i ka mohuar raportimet se ka bashkëpunuar me gjyqtaren serbe, Danica Marinkoviq, më 1999, e cila e kishte përsipër rastin e masakrës së Reçakut.
Pas shkarkimit të Kelmendit, KPK-ja ka emëruar Agron Qalajn u.d Kryeprokurorit të Shtetit.
Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka anuluar vendimin e KPK-së i cili e kishte shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit Besim Kelmendin. Me 22.12.2026 Besim Kelmendi kishte bërë kërkesë që të lirohet nga pozita e u.d kryeprokurorit të shtetit.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e pyetur në lidhje me atë se çfarë po ndodh me pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, tha se e konsideron si proces të mbyllur dhe se Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të shpallë konkurs të ri.
“Unë e kam analizuar dosjen dhe i kam kthyer letër Këshillit Prokurorial dhe e kam konsideruar këtë proces të mbyllur. Pra Këshilli Prokurorial duhet të shpallë konkursin, por duhet të sigurohet që procesi të mos jetë i komprometuar qysh ka ndodhur në të kaluarën, sepse asnjëherë nuk do dekretohen persona që kalojnë përmes proceseve të përgatitura paraprakisht”- kishte thënë ajo më 30.04.2026.


