Netanyahu: Izraeli ka pushtuar 60 për qind të territorit të Rripit të Gazës, pavarësisht armëpushimit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se pavarësisht armëpushimit, Izraeli ka rritur në 60 për qind kontrollin mbi territorin e pushtuar të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të gazetës “Haaretz”, Netanyahu gjatë një deklaratë në një shkollë fetare hebraike në Kudsin Perëndimor, bëri vlerësime lidhur me pushtimin në Gaza. Netanyahu tha se ushtria izraelite aktualisht mban nën pushtim 60 për qind të territorit të Rripit të Gazës.
Edhe pse ushtria izraelite u tërhoq nga disa zona pas marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin, ajo vazhdoi të mbajë në pushtim 53 për qind të Gazës. Ushtria izraelite, e cila u tërhoq në zonën e përcaktuar si “vija e verdhë”, duhej të tërhiqej në zonën e quajtur “vija e kuqe” pas fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit.
Deklarata e Netanyahut zbulon se Izraeli, në kundërshtim me marrëveshjen, ka zgjeruar pushtimin e tij në Gaza duke kaluar edhe “vijën e verdhë”.
Izraeli zgjeroi pushtimin pavarësisht armëpushimit
Specialistja e sistemeve të informacionit gjeografik që punon për “Mjekët pa Kufij” (MSF) në Aman, Laurie Bouvier deklaroi se pushtimi izraelit vazhdon të zgjerohet, duke vënë në dukje se për shembull, në lagjen Zeitoun të Gazës javët e fundit janë identifikuar blloqe të reja të verdha.
Media izraelite raportoi në janar 2026 se “vija e verdhë” është zhvendosur drejt perëndimit. Ky zgjerim ka vazhduar në muajt e fundit, çdo herë duke shkelur më tej hapësirat e jetesës tashmë të kufizuara që kanë mbetur për palestinezët.
Drejtori i Institutit të Kudsit për Kërkime të Aplikuara (ARIJ), Tad Isaac në një deklaratë më 30 prill tha se Izraeli aktualisht mban nën pushtim 64 për qind të Rripit të Gazës. “Ata duan të vendosin sa më shumë palestinezë të jetë e mundur në hapësirën më të vogël të mundshme sepse nuk ka më asnjë jetesë ose qëndrueshmëri në atë që ka mbetur nga Gaza”, tha ai.
Zyrtarët izraelitë, përfshirë ministrin e Financave Bezalel Smotrich, një ministër i ekstremit të djathtë në qeverinë e koalicionit të kryeministrit Benjamin Netanyahu, u kanë bërë thirrje palestinezëve të largohen nga Gaza.
Zgjerimi i pushtimit të Rripit të Gazës nga Izraeli nxit shqetësimet se Tel Avivi dëshiron të dëbojë palestinezët nga Gaza.



