Avokati i Popullit, Faton Selami, e prezantoi raportin vjetor për vitin 2025 në Kuvend

Avokati i Popullit, Mr. Faton Selami, para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, e prezantoi Raportin Vjetor për shkallën e sigurimit të respektimit, avancimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut për vitin 2025.
Në kuadër të prezantimit, ai theksoi se statistikat vazhdojnë të tregojnë se numri më i madh i parashtresave të parashtruara nga qytetarët janë nga fusha e gjyqësorit. Të dytat për nga numri janë parashtresat nga fusha e të drejtave të konsumatorëve, ku dominojnë parashtresat që kanë të bëjnë me faturat e larta për energjinë elektrike të konsumuar, ndërsa në vendin e tretë për nga numri janë parashtresat e qytetarëve në të cilat ata ankohen për cenim të të drejtave nga marrëdhënia e punës.
“Rritja më e madhe e parashtresave në vitin 2025 është shënuar në fushën e mjedisit jetësor. Katastrofa ekologjike që ndodhi në fshatin Trubarevë, në afërsi të qytetit të Shkupit, si dhe parashtresat lidhur me incidentet e tjera ekologjike (djegia e deponisë rajonale Drislla, ish-deponia Vardarishtë, sasia enorme e mbeturinave plastike të hedhura në lumin Vardar dhe të ngjashme), ishin në fokus të punës së Avokatit të Popullit. Në këtë drejtim, shqetësues është fakti se në shtet janë lëshuar vetëm dy leje për ushtrimin e veprimtarisë së deponimit të mbeturinave, përkatësisht leje ekologjike të integruara të kategorisë A dhe se, ndër të tjera, nuk janë lëshuar leje për deponi të mbeturinave të rrezikshme, si dhe për mbeturina interne. Ministria kompetente, gjithashtu, nuk ka lëshuar leje ekologjike të integruara për impiante për djegien ose incinerimin e mbeturinave“, tha, ndër të tjera, në fjalimin e tij Avokati i Popullit, Mr. Faton Selami.
Anëtarët e Komisionit i përcaktuan masat e propozuara sipas rekomandimeve të përgjithshme, të cilat duhet të votohen në seancë plenare të Kuvendit, ku pikë e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i Raportit Vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2025.



