“Do t’i djegim! Do të mbeten edhe pa motorë” – Toshkovski paralajmëron kontrolle të ashpra për motoristët e papërgjegjshëm

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, paralajmëroi kontrolle të shtuara policore në zonat urbane, me fokus të veçantë tek drejtuesit e motorëve që nuk respektojnë rregullat e komunikacionit dhe paraqesin rrezik për sigurinë në trafik.
Toshkovski bëri dallim mes, siç tha ai, “motoristëve të vërtetë” dhe atyre që “shtiren si motoristë”, duke theksuar se problemi më i madh janë drejtuesit e papërgjegjshëm që ngasin motorë pa helmetë, me shpejtësi të madhe dhe me sjellje të rrezikshme në rrugë.
“Ata që janë motoristë të vërtetë nuk i shkelin rregullat e komunikacionit në qytet. Ata janë të përkushtuar ndaj respektimit të rregullave, veçanërisht në qytet, sepse i dinë pasojat kur nuk respektohen ato, pasi janë mbi dy rrota”, deklaroi Toshkovski.
Sipas tij, masat nuk do të drejtohen ndaj motoristëve që marrin pjesë me përgjegjësi në trafik, por ndaj atyre që, siç u shpreh ai, “mendojnë se janë të paprekshëm”.
“Kjo nuk ka të bëjë me ata që vozisin me helmetë, me shpejtësi të përshtatshme… Por paralajmëroj ata që shtiren si motoristë, pra që ngasin motor pa helmetë, me shpejtësi shumë më të madhe, kalojnë në të kuqe, e ngrejnë motorin në një rrotë dhe mendojnë se ‘Safe City’ nuk i detekton. MPB-ja do të jetë e fokusuar tek ata, sidomos në zonat urbane”, tha ministri.
Ai dërgoi edhe një mesazh të ashpër për drejtuesit e papërgjegjshëm.
“Lirisht mund të them se do t’i djegim! Do të mbeten edhe pa motorë dhe pa mundësinë për t’u shtirur si motoristë”, deklaroi Toshkovski.
Ministri vlerësoi se pikërisht këta drejtues paraqesin rrezikun më të madh për sigurinë në rrugë.
“Ata do të jenë target – ata që përdorin motorët jashtë ligjit. Sepse ata janë rreziku më i madh për të vrarë dikë”, shtoi ai.
Në fund, Toshkovski u shprehu respekt motoristëve që respektojnë rregullat dhe normat e sigurisë.
“Jo për motoristët e vërtetë – për ta çdo respekt dhe përshëndetje”, porositi ministri.



