Hysni Mehani flet pas lirimit nga spitali: Sami Lushtaku është personi që më ka goditur me telefon

Zëvendësministri Hysni Mehani pasi është liruar nga Spitali i Mitrovicës, ka dhënë versionin e tij rreth incidentit në Skenderaj, ku ai mbeti i lënduar më 14.05.2026.
Ai ka thënë se Sami Lushtaku i ka shkuar direkt në tavolinë dhe e ka goditur.
“Sami Lushtaku është personi që më ka goditur me telefon dhe atë tinëzisht, sepse nuk e kam besu. Le të themi, edhe në traditat shqiptare, kur je me gra nuk sulmohet njeriu. Unë dal me fëmijët e mi dhe me gruan në qytet me pi kafe, a do të thotë që tash e tutje nuk guxoj me dal se vjen dikush krejt befasisht edhe më godet për qëndrimet dhe bindjet e mia politike?”, tha ai.
Duke folur rreth asaj pse e ka quajtuar “Sami Serbia”, Mehani ka thënë se kur e ka bërë postimin në rrjete sociale, më 10.04.2026, atë ditë kanë pasur mbledhje të Kuvendit Komunal. Ai e konsideron se ajo ditë është e largët për t’u parë tani si pretekst.
“Për atë postim, përveçse kushdo që ka pasur interesin e ka kuptuar që është ironi-sarkazëm. Për ata që s’e kanë kuptuar, e kam bërë një sqarim të detajuar ku kam thënë se qëllimi im nuk ka qenë që t’i them në këtë kontekst, por meqenëse Lushtaku ka qenë shumë brutal sa i përket kryeministrit Kurti, unë e kam bërë një lloj hajgare”, tha Mehani në T7, duke thënë se qëllimi ka qenë për t’i thënë Lushtakut se përfundove te politikat e Kurtit sepse mbylli dy ambulanca të strukturave paralele të Serbisë.
Hysni Mehani ka pretenduar se është sulmuar fizikisht nga kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe persona të afërt me të.
Lajmin për lirimin e tij nga spitali për Kallxo.com e konfirmuan nga Spitali i Mitrovicës, të cilën thanë se Mehani është liruar para orës 9:00.
Mehani kishte ardhur të enjten në spital për trajtim me ç’rast lëndimet e tij ishin në kokë dhe fytyrë.
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Spitalit të Mitrovicës, Gëzim Berisha kishte konfirmuar për Kallxo.com se pacienti ka marrë trajtim në neurologji.
“Për shkak të një marramendjeje që e ka, një vështirësie në të ecur që e ka pasur mund të vijnë prej këtyre simptomave. Ne normalisht i përcjellim kur janë pas traumave, së paku 24 orë, pastaj nesër nëse gjithçka është në rregull, e lëshojmë në shtëpi”, kishte thënë Berisha, më 15.05.2026.
Forca të Njësisë Speciale Operative (NJSO) të Policisë së Kosovës ishin vendosur të enjten, më 15.05.2026, në orët e mbrëmjes në Skenderaj.
Pamjet që i ka publikuar KALLXO.com shfaqin pjesëtarët e NJSO-së në rrugët e Skenderajt.
Kjo vendosje e forcave speciale ndodh pas zhvillimeve të ditës së djeshme në Skenderaj, ku kryetari i degës së LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani, dhe aktivisti i kësaj partie, Bahri Zabeli, kanë pretenduar se janë sulmuar fizikisht nga kryetari i Komunës, Sami Lushtaku dhe një grup personash rreth tij.
Prokuroria e Mitrovicës ka njoftuar se ka intervistuar persona të dyshuar e dëshmitarë, ndërkohë që Sami Lushtaku nuk i është përgjigjur ftesës për intervistë. Sipas Prokurorisë, dy persona janë ndaluar për 48 orë.Drejtoresha e Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Afërdita Mikullovci, ka deklaruar se vendosja e Njësisë Speciale Operative (NJSO) në pika kontrolli të enjten në mbrëmje në Skenderaj është çështje rutinore policore dhe operative.
Sulmin ndaj tyre e kanë dënuar drejtues të institucioneve.Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në një konferencë për media, duke folur për incidentin e ndodhur në Skënderaj mes Sami Lushtakut të PDK-së e Hysni Mehanit të LVV, ka thënë se në Kosovë nuk mund të ketë individ apo grup që sfidon shtetin.
Kurti ka thënë se në lokalin në Skenderaj në të cilin ndodhi incidenti që si pasojë Mehani ka marrë trajtim mjekësor, ka kamera dhe ka shumë dëshmitarë.“Me ç’mora vesh, dy veta janë arrestuar. Për përshtypjen time, reagimi edhe i Policisë edhe i Prokurorisë, ka qenë i vonuar. Nuk e di se çfarë ka ndodhur pas mesnatës por e di që reagimi është dashur të jetë shumë më i shpejtë”- tha Kurti.
Ai shtoi se aktivistë të LVV-së për statuse në Facebook u dënuan me nga 1 vit e gjysmë me burg.“Ta shohim tash, Prokuroria për ata që marrin gotë dhe e përgjakin zëvendësministra, çfarë ndëshkimi do të kërkoj dhe çfarë dënimi do të jap gjyqësori”.



