Imerlije Saliu ndan përvoja për fuqizimin e grave me përfaqësuese nga Turqia dhe Kosova

Deputetja e VLEN, Imerlije Saliu, ka bërë të ditur se sonte, së bashku me koleget deputete dhe përfaqësueset e Forumit të Gruas në VLEN, ka marrë pjesë në konferencën “Gruaja dhe Familja”, në kuadër të programit ballkanik “Gönülden Gönüle”.
Saliu ka vlerësuar se konferenca solli mesazhe të rëndësishme për rolin e gruas në shoqëri, familje dhe politikë.
“Ishte një mbrëmje me mesazhe të forta për rolin e gruas në shoqëri, në familje dhe në politikë. Sot, gruaja nuk është vetëm pjesë e proceseve vendimmarrëse, por një forcë e rëndësishme që kontribuon në ndërtimin e institucioneve më të përgjegjshme, më humane dhe më afër qytetarëve”, ka deklaruar ajo.
Deputetja e VLEN-it ka theksuar se konferenca u zhvillua në praninë e përfaqësueseve politike nga Turqia dhe Kosova, me të cilat u ndanë përvoja dhe mesazhe mbi fuqizimin e grave.
“Ishte nder i veçantë që në këtë konferencë të ishim bashkë me kryetaren e Forumit të Gruas të AK Parti Tuba Isik Ercan dhe deputeten nga Parlamenti i Madh Turk, miken time Rükye Toy, si dhe deputeten dhe kandidaten aktuale për deputete nga Kosova Labinotë Demi Murtezi, me të cilat ndamë mesazhe dhe përvoja mbi fuqizimin e grave dhe rëndësinë e përfaqësimit të tyre në jetën publike dhe politike”, ka theksuar Saliu.
Në fund, ajo është shprehur se gruaja shqiptare ka potencialin dhe forcën për të qenë bartëse e ndryshimeve pozitive në shoqëri.
“Besoj fuqishëm se gruaja shqiptare sot ka potencialin dhe forcën për të qenë bartëse e ndryshimeve pozitive, duke ruajtur vlerat familjare dhe duke kontribuar njëkohësisht në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe me më shumë perspektivë për gjeneratat që vijnë”, ka përfunduar deputetja e VLEN-it.



