VLEN nesër vulos bashkimin politik – “VLEN është një”

Koalicioni VLEN ka paralajmëruar se 9 maji do të shënojë një moment të rëndësishëm për skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku bashkëpunimi mes pesë subjekteve politike do të formalizohet në një trup të vetëm politik.
Në deklaratën publike drejtuar mediave dhe qytetarëve, nga VLEN theksojnë se ky bashkim nuk është vetëm një vendim organizativ, por një akt përgjegjësie ndaj shqiptarëve dhe dëshmi se interesi i përbashkët mund të vendoset mbi interesat partiake.
“VLEN, nga një bashkëpunim mes pesë subjekteve, po shndërrohet në një trup të vetëm politik”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se qëllimi është ndërtimi i një politike që i shërben qytetarit dhe jo përçarjes.
Nga koalicioni potencojnë se platforma e tyre fokusohet në barazinë reale të shqiptarëve në institucione, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik, arsimin cilësor në gjuhën shqipe, administratën efikase dhe funksionale, si dhe mbrojtjen e kulturës dhe identitetit shqiptar.
VLEN gjithashtu rithekson orientimin e qartë pro-evropian, duke e lidhur këtë bashkim simbolikisht me 9 Majin – Ditën e Evropës.
“Nesër nuk po mbyllim një kapitull, por po hapim një të ri – një kapitull ku politika shqiptare nuk është më e fragmentuar, por e organizuar”, theksohet më tej në deklaratë.
Sipas njoftimit, mbi 850 delegatë pritet të marrin pjesë në kongresin ku do të vuloset bashkimi politik, me mesazhin përfundimtar: “VLEN nuk është më vetëm një koalicion. VLEN është një.”


