Kina kërkon të “stabilizojë” marrëdhëniet me SHBA-në përpara udhëtimit të Trumpit

Kina shpreson që lidhjet dypalëshe me SHBA-në “të stabilizohen dhe përmirësohen vërtet”, i tha ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi një grupi senatorësh amerikanë që udhëtuan për në Pekin përpara vizitës së planifikuar shtetërore të presidentit amerikan Donald Trump, transmeton Anadolu.
“Kina është e gatshme të punojë me SHBA-në për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga dy krerët e shteteve, duke siguruar që marrëdhëniet Kinë-SHBA të stabilizohen dhe përmirësohen vërtet, duke u sjellë dobi të dy vendeve dhe botës”, i tha Wang grupit dypartiak të udhëhequr nga senatori amerikan Steve Daines, sipas një deklarate zyrtare.
Planifikohet që Trumpi të vizitojë Kinën midis 14 dhe 15 majit për samitin e tij të dytë personal me presidentin kinez Xi Jinping, pasi të dy u takuan vitin e kaluar në Korenë e Jugut.
Duke vënë në dukje se Kina dhe SHBA-ja kanë sisteme shoqërore dhe shtigje zhvillimi të ndryshme, Wang u tha ligjvënësve amerikanë se këto sisteme “burojnë nga trashëgimitë e tyre historike dhe kulturore përkatëse dhe janë zgjedhjet e popujve të tyre”.
“Të gjitha gjërat në natyrë bashkëjetojnë pa dëmtuar njëra-tjetrën. Ne duhet të kërkojmë së bashku harmoni në diversitet, duke u bërë partnerë dhe jo kundërshtarë”, i tha Wang senatorit amerikan Daines, një aleat i Trumpit.
Diplomati veteran kinez tha se “Pekini nuk do të ndjekë rrugën e vjetër të kërkimit të hegjemonisë pasi të bëhet i fortë”.
“Kina do t’i përmbahet zhvillimit paqësor. Shpresojmë se SHBA-ja do ta shohë Kinën në mënyrë objektive, do të zhvillojnë një kuptim racional të Kinës, do të respektojnë vërtet interesat thelbësore të Kinës dhe do të menaxhojnë siç duhet dallimet”, tha Wang.
Tajvani, tregtia, tarifat si dhe militarizimi kanë qenë çështjet kryesore që kanë prekur lidhjet SHBA-Kinë në vitet e fundit. Senatorët amerikanë u takuan gjithashtu me kryeministrin kinez Li Qiang, i cili bëri thirrje për dialog dhe komunikim të shtuar midis dy palëve.



