Zvicra do të vendosë kontrolle të përkohshme kufitare gjatë Samitit G7 në Francë

Zvicra do të vendosë kontrolle të përkohshme kufitare përgjatë kufirit të saj me Francën përpara Samitit të ardhshëm të G7-ës, transmeton Anadolu.
Siç raporton sot “Swissinfo”, qeveria zvicerane njoftoi se masat do të jenë në fuqi nga 10 deri më 19 qershor, duke cituar shqetësimet e sigurisë lidhur me samitin, i cili do të mbahet në qytetin francez Evian.
Megjithëse takimi i liderëve do të zhvillohet në territorin francez, autoritetet thanë se qytetet e afërta zvicerane si Gjeneva dhe Lozana, si dhe rajoni më i gjerë i Liqenit të Gjenevës, mund të preken nga fluksi i pjesëmarrësve dhe protestat e mundshme.
Zyrtarët kanë vënë në dukje se në takimet e mëparshme të G7-ës janë shënuar trazira, ndërprerje dhe akte sabotimi, së bashku me dëmtime të pronës.
Ata cituan gjithashtu sfida më të gjera të sigurisë lidhur me mjedisin aktual gjeopolitik dhe përqendrimin e lartë të organizatave ndërkombëtare në rajon.
Sipas qeverisë, kërkesa për vendosjen e kontrolleve kufitare u dorëzua nga kantoni i Gjenevës.
Samiti i G7-ës është planifikuar të mbahet nga 15 deri më 17 qershor.



