MPB në SAHA Expo 2026: Konfirmohet bashkëpunimi strategjik me policinë turke

Një delegacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i kryesuar nga ndihmësministri për marrëdhënie me publikun, Muhamed Ismaili, po merr pjesë në panairin dhe konferencën ndërkombëtare SAHA Expo 2026, që po mbahet në Stambolli nga 5 deri më 9 maj.
Në kuadër të vizitës, delegacioni zhvilloi një takim pune me zëvendësdrejtorin e policisë turke, Mustafa Çallishkan. Në takim u konfirmua bashkëpunimi i fortë dhe i vazhdueshëm ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe policisë turke, i bazuar në besim dhe partneritet të ndërsjellë.
Theks i veçantë iu kushtua përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, kontrabandës së migrantëve dhe përballjes me sfidat bashkëkohore të sigurisë. Bashkëbiseduesit u dakorduan se përmes koordinimit të shtuar operativ, shkëmbimit të informacionit dhe aktiviteteve të përbashkëta do të vazhdojnë të kontribuojnë në forcimin e sigurisë rajonale dhe globale.
Në takim u diskutuan edhe aktivitetet aktuale bilaterale mes dy vendeve, ku u theksua progresi në harmonizimin e Marrëveshjes për njohje dhe shkëmbim të ndërsjellë të lejeve të drejtimit, si dhe përgatitjet për nënshkrimin e një Marrëveshjeje për bashkëpunim në fushën e sigurisë.
Gjithashtu, u nënvizua rëndësia e avancimit të bashkëpunimit në trajnim dhe edukim, përmes Memorandumit të propozuar të mirëkuptimit ndërmjet Akademisë Kombëtare të Policisë së Turqisë dhe Qendrës për Trajnim Policor.
Pjesëmarrja në SAHA Expo 2026 paraqet një mundësi të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e sigurisë, industrisë së mbrojtjes dhe zgjidhjeve bashkëkohore teknologjike, me qëllim rritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.



