Kuba akuzon SHBA-në për “luftë ekonomike”, paralajmëron kundër veprimeve ushtarake

Ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodriguez akuzoi të martën SHBA-në për përshkallëzimin e presionit mbi vendin ishullor përmes masave ekonomike, transmeton Anadolu.
“Qeveria (amerikane) këmbëngul të lë të kuptohet për një veprim ushtarak kundër (Kubës) sepse ‘vendi është i shkatërruar dhe do të ishte një nder ta çlironim atë”, tha Rodriguez në kompaninë amerikane të mediave sociale X.
“Gjëja cinike dhe hipokrite lidhur me këtë është se SHBA-ja, për dekada të tëra, është përpjekur ta shkatërrojnë vendin duke imponuar një luftë ekonomike dhe se qeveria e ka bërë këtë me zell më të madh gjatë dy muajve të fundit përmes miratimit të dy urdhërave ekzekutiv gjenocidalë”, tha ai.
Rodriguez tha se si kufizimet ekonomike ashtu edhe çdo veprim i mundshëm ushtarak do të shkelnin të drejtën ndërkombëtare, duke i përshkruar ato si “krime ndërkombëtare”.
“Si bllokada ekonomike ashtu edhe rrethimi energjetik si dhe masat e reja shtrënguese ekstraterritoriale, kërcënimi i një sulmi ushtarak dhe vetë agresioni janë krime ndërkombëtare”, shtoi ai.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio mohoi të martën se Uashingtoni po vendos bllokadë nafte ndaj Kubës, pavarësisht kërcënimeve të SHBA-së për të vendosur tarifa ndaj çdo vendi që i shet naftë Kubës.
“Nuk ka bllokadë nafte ndaj Kubës, në vetvete”, tha Rubio në një konferencë për media.
Kuba po përballet me një krizë karburanti pas një embargoje të naftës të SHBA-së të vendosur më 30 janar, së bashku me ndërprerje të përhapura të energjisë elektrike.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka thënë vazhdimisht se “Kuba është e radhës” pas operacionit ushtarak kundër Iranit dhe se “ishulli i Karaibeve do të dështojë së shpejti”.



