Policia ndalon 14 shoferë për vozitje të rrezikshme, mes tyre edhe një i mitur pa patentë

Shërbimet policore gjatë 24 orëve të fundit kanë privuar nga liria 14 persona në territorin e vendit për shkak të drejtimit të pakujdesshëm të automjeteve. Një pjesë e tyre kanë qenë nën ndikimin e alkoolit, ndërsa në mesin e të ndaluarve ka edhe një të mitur pa patentë shoferi.

Sipas të dhënave, pesë persona kanë drejtuar automjet pa patentë shoferi, prej të cilëve njëri është i mitur. Dy shoferë kanë vozitur edhe pse kishin ndalesë aktive për drejtim automjeti, ndërsa shtatë persona janë kapur duke drejtuar automjet nën ndikimin e alkoolit.

Shkeljet janë regjistruar në disa qytete të vendit, përfshirë Shkupin, Velesin, Demir Hisarin, Ohrin dhe Tetovën. Ndërkohë, shoferë të alkoolizuar janë hasur në Sveti Nikollë, Koçan, Kavadar, Strumicë, Gjevgjeli dhe Prilep.

Policia njoftoi se pas dokumentimit të plotë të rasteve do të dorëzohen kallëzime përkatëse penale.

Paralelisht, në Shkup është zhvilluar një kontroll i përforcuar aksionar ndaj drejtuesve të motoçikletave, biçikletave me motor ndihmës, triçikletave dhe katërçikletave, ku janë sanksionuar 113 shoferë.

Prej tyre, 45 shoferë janë gjobitur për mosmbajtje të helmetës mbrojtëse, 17 për drejtim pa vërtetimin përkatës, ndërsa katër për drejtim me kategori të papërshtatshme. Janë evidentuar edhe shkelje për automjete të paregjistruara, mosmbajtje të lejes së qarkullimit, si dhe lëvizje në sipërfaqe të papërshtatshme.

Gjatë kontrollit, një shofer është privuar nga liria për shkak të drejtimit të pakujdesshëm, në përputhje me nenin 297-a të Kodit Penal.

Nga MPB apelojnë deri te qytetarët që t’i respektojnë rreptësisht rregullat e komunikacionit, duke theksuar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button