Kina: Tajvani është ngërçi më i madh në marrëdhëniet Washington-Pekin

Ministri i Punëve të Jashtme i Kinës, Wang Yi, i ka thënë homologut të tij amerikan, Marco Rubio, se Tajvani është rreziku më i madh në marrëdhëniet Washington-Pekin.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning, në rrjetin social amerikan X njoftoi se kryediplomati kinez e përcolli këtë mesazh gjatë një telefonate me sekretarin amerikan
“Çështja e Tajvanit lidhet me interesat thelbësore të Kinës dhe është rreziku më i madh në marrëdhëniet Kinë-SHBA. Pala amerikane duhet të respektojë zotimet e saj dhe të bëjë zgjedhjen e duhur, për të hapur hapësirë të re për bashkëpunim Kinë-SHBA dhe për të kontribuar në paqen botërore”, tha Wang.
Ai theksoi se marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA-së kanë mbetur përgjithësisht të qëndrueshme nën udhëzimin strategjik të liderëve të tyre, duke e përshkruar diplomacinë në nivel të krerëve të shtetit si “spirancë” të marrëdhënieve dypalëshe.
Ai tha se ruajtja e këtij stabiliteti i shërben interesave të të dy vendeve dhe përputhet me pritjet globale.
Kryediplomati kinez gjithashtu bëri thirrje për rritje të bashkëpunimit dhe përmirësim të menaxhimit të konflikteve, duke sugjeruar që të dy palët të punojnë drejt një marrëdhënieje “strategjike, konstruktive dhe të qëndrueshme” të bazuar në respekt të ndërsjellë dhe bashkëjetesë paqësore.



