FNA: Skandal në Universitetin e Tetovës Arbresha Bexheti Ferati – bashkëshortja e kryetarit të Senatit u anvancua me mbi 15 shkelje

Forumi për Ndryshime në Arsim ka raportuar për një avancim të kundërligjshëm në Universitetin e Tetovës, bazuar në raprotin e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, ata raportojnë se Arbresha Bexheti Ferati, e angazhuar në Fakultetin e Mjekësisë dhe njëkohësisht bashkëshorte e kryetarit të Senatit të Universitetit të Tetovës ka arritur që të avancohet në tituj akademik në kundërshtim të më shumë se 15 dispozitave ligjore dhe statutare.

Ja dhe komunikata e plotë:

Rasti që po denoncojmë sot tregon qartë se si mobilizimi i vazhdueshëm i zinxhirit; familjarë të gjakut dhe atyre të interesit ka peshuar më shumë se sa Ligji, Statuti dhe çdo rregull tjetër i shkruar.
Pak janë organet brenda Universitetit të Tetovës që nuk janë të përfshira në këtë avancim të kundërligjshëm akademik. Ky rast është tregues se në këtë pikë, procesi i avancimeve më nuk ka të bëjë me atë se sa di, por se sa dhe kë njeh.
Arbresha Bexheti Ferati, e angazhuar në Fakultetin e Mjekësisë dhe njëkohësisht bashkëshorte e kryetarit të Senatit të Universitetit të Tetovës ka arritur që të avancohet në tituj akademik në kundërshtim të më shumë se 15 dispozitave ligjore dhe statutare, bazuar në raportin e Inspektoratit Shtetëror për Arsim.
Që kjo të bëhet e mundur, ka pasë angazhim serioz të:
🔴Këshillit Mësimor Shkencor të Fakultetit të Mjekësisë
🔴Senatit të Universitetit të Tetovës
🔴Komisionit Recenzues
Shkeljet janë të shumta, andaj do t’i përmendim shkurtimisht në rrjedhë kronologjike:
Viti 2022, Senati i Universitetit të Tetovës zhveshet nga kompetencat ligjore dhe i njeh Arbresha Bexheti Feratit titullin ‘profesor inordinar’ të fituar në Beograd, Serbi, pa verifikuar nëse kandidatja i plotësonte kushtet e detyrueshme ligjore.
Pa qenë e sigurt se e meritonte titullin paraprak, Arbresha Bexheti Ferati synoi për më lart.
Andaj, në fund të vitit 2025, dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Nevzat Elezi pa kompetence ligjore shpall konkurs për zgjedhje në thirrjen akademike ‘profesor i rregullt’. Konkursi u publikua në shtypin ditor dhe ueb-faqjen e universitetit në data të ndryshme ndërsa kandidatë kërkoheshin për 3 fusha shkencore në vend se për 1 siç thotë ligji.
Befas, aplikon vetëm një kandidate, Arbresha Bexheti Ferati. Saga e shkeljeve ligjore vazhdon me krijimin e Komisionit Recenzues në përbërje Nevzat Elezi, Zaklina Cekovska dhe Nexhbedin Beadini që do të vlerësonin për avancimin ose jo të Bexheti Feratit.
Ndërkohë që ligji kërkon që shumica, pra 2 prej 3 e anëtarëve të Komisionit Recenzues të jenë të fushës që zgjidhet kandidati, asnjë prej tyre nuk i përkiste fushës së mjekësisë sociale dhe fushës së emëruar si ‘tjetër’ ndërsa një prej 3 anëtarëve ishte i fushës së biologjisë, që nuk i përket fare mjekësisë bazë.
‼️Gjetjet në referatin e përpiluar nga këto 3 anëtarë thellojnë skandalin, si dëshmi për zgjedhjen e mëhershme akademike të kandidates Arbresha Bexheti Ferati kanë shënuar buletinin 166 ndërsa kur inspektorët hapën buletinin; u shfaq emri i bashkëshortit të saj, kryetarit aktual të Senatit të UT-së, Kenan Feratit.
Tejet shqetësues është edhe fakti që Arbresha Bexheti Ferati nuk ka arritur të ofrojë dëshmi për kryerjen e ciklit të dytë arsimor ndërsa referati gjithashtu nuk ka pasë informata nëse doktorata e Bexheti Feratit është në përputhje me nevojat e thirrjes së synuar akademike.
Komisioni Recensues nuk arriti të verifikojë nëse Arbresha Bexheti Ferati plotësonte kushtet qoftë për njërën prej 3 fushave në këtë konkurs. Por megjithatë propozoi që ajo të zgjidhet profesor i rregullt në Fakultetin e Mjekësisë.
Me krejt këto anomali të lartëpërmendura, me një referat tejet problematik dhe gjysmak, Këshilli Mësimor Shkencor më 8 prill të vitit 2026 vendosi që Arbresha Bexheti Feratit t’ia jep titullin akademik profesor i rregullt. Theksojmë se të njëjtën ditë ka filluar edhe inspektimi i cili ka zgjatur 7 ditë.
ÇFARË KËRKOJMË?
🟢Kërkojmë që Rektori aktual i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli, t’i thirre mendje dhe të bashkëpunojë me organet inspektuese pasi informatat tona thonë që ai ka refuzuar të nënshkruajë procesverbalin për inspektimin e kryer. Zejneli gjithashtu të mbajë përgjegjësi që i gjithë ky zinxhir shkeljesh ligjore ka ndodhur pikërisht në kohën kur ai udhëheq me universitetin.
🟢Këtu nuk kemi të bëjmë me rast individual, por me një skemë mirë të organizuar. Përpos shkeljeve të Ligjit për Arsim të Lartë, FNA-ja i bën thirrje Prokurorisë Publike të hetojë shkelje të mundshme penale si keqpërdorimi i detyrës zyrtare, potencialisht falsifikim të dokumenteve si dhe konfliktit të interesit.
🟢Universiteti i Tetovës menjëherë të anulojë thirrjen e fundit akademike të Arbresha Bexheti Feratit ndërsa pas kësaj Inspektorati i Arsimit të hulumtojë nëse ajo i plotëson kushtet për titullin profesor inordinar. Bashkëshorti i saj, Kenan Ferati, të shkarkohet nga posti kryetar i Senatit derisa ky rast të merr epilog përfundimtar.
Burimi: Inspektorati Shtetëror i Arsimit

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button