Kasami: Tetova forcon bashkëpunimin me komunat turke, nis së shpejti projekti për Sahat Kullën

Kryetari i Tetova, Bilall Kasami, ka marrë pjesë në një forum me përfaqësues të Unionit të komunave të botës turke dhe kryetarë komunash nga qytete të ndryshme, ku u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dhe realizimin e projekteve të përbashkëta.
“Për Tetovën, këto takime janë një mundësi e mirë për të forcuar bashkëpunimet ekzistuese dhe për të konkretizuar projekte të reja”, deklaroi Kasami, duke theksuar rëndësinë e partneriteteve ndërkomunale.
Ai nënvizoi se qyteti po përjeton zhvillim të vazhdueshëm përmes investimeve në infrastrukturë dhe ekonomi, ndërsa shtoi: “Në këtë forum prezantuam idetë tona dhe theksuam gatishmërinë për partneritet me komunat turke, duke u bazuar në lidhjet tona të forta kulturore dhe tradicionale”.
Kasami bëri të ditur gjithashtu se një nga projektet konkrete që pritet të realizohet është ai për Sahat Kullën, i cili do të nisë së shpejti në bashkëpunim me Konya, pasi janë siguruar lejet e nevojshme.



