Serbi, bëhet thirrje për bojkotimin e Eurovizionit për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit

Në një protestë të mbajtur në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, u bë thirrje për bojkotimin e Festivalit Evropian të Këngës (Eurovizion) për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit në këtë garë, raporton Anadolu.
Grupi i mbledhur para ndërtesës së Radiotelevizionit të Serbisë (RTS) në Beograd, tërhoqi vëmendjen se pjesëmarrja e Serbisë në Eurovizion nënkupton mbështetje për krimet e kryera nga Izraeli.
Grupi i bëri thirrje Serbisë të bojkotojë konkursin dhe deklaroi se edhe transmetuesi publik i vendit, RTS, duhet të anulojë pjesëmarrjen e tij.
Gjatë protestës grupi mbajti flamuj palestinezë.
Në një deklaratë me shkrim nga organizatorët e protestës thuhet se në vend të Festivalit të Këngës në Eurovizion, duhet të jepen transmetime me temë palestineze.
Sllovenia, Spanja, Holanda, Irlanda dhe Islanda kanë vendosur tashmë të tërhiqen nga Festivali i Këngës në Eurovizion 2026 pasi Izraelit iu lejua të marrë pjesë.



